Pasi u njoftua së fundmi se Billy Joel ka marrë një diagnozë për një çrregullim të rrallë të trurit, një mik i tij i ngushtë ka zbuluar më shumë rreth gjendjes së tij shëndetësore.

Muzikanti 76-vjeçar anuloi të gjitha koncertet e tij muajin e kaluar pasi mori lajmin se kishte zhvilluar hidrocefalus normotensional (NPH) – një gjendje që shkakton grumbullimin e lëngjeve në tru. Ai publikoi një njoftim në rrjetet sociale ku theksoi se ky çrregullim i shkaktonte probleme me dëgjimin, shikimin dhe balancën. Megjithatë, tani, miku i tij i ngushtë dhe prezantuesi i radios Howard Stern ka ndarë më shumë informacione në lidhje me gjendjen e Billy Joel.


"Billy ka disa probleme, por ai tha: 'Po, mund t'u thoni njerëzve, nuk po vdes'. Ai do që njerëzit ta dinë këtë," tha Howard Stern.

Stern gjithashtu zbuloi se ata kishin kaluar kohë së bashku duke ngrënë darkë së fundmi dhe se, përkundër problemeve shëndetësore, Joel ishte në humor të mirë dhe madje kishte luajtur në gitarë.

Sipas këshillave të mjekut të tij, Billy Joel është duke ndjekur terapitë fizike speciale dhe është këshilluar të shmangë çdo performancë gjatë periudhës së rikuperimit.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS), kjo është një gjendje e rrallë që zakonisht prek individë mbi 60 vjeç. Diagnoza mund të jetë e vështirë, pasi simptomat përfshijnë probleme me lëvizshmërinë dhe demencën.

Kujtojmë se Billy Joel ra papritur gjatë një performance në kazinon "Mohegan Sun" në Montville. Pas këtij incidenti, ai e shtyu një pjesë të koncerteve deri në korrik të këtij viti, por duke qenë se ende është në fazën e rikuperimit, ai ka shtyrë edhe koncertet e tjera. /Telegrafi/