Ish funksionari i lartë shqiptar, në kohën e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ) dhe njohësi i mirë i rrethanave politike të Kosovës në këto 50 vitet e fundit, Azem Vllasi, për Anadolu Agency ka thënë se hegjemonia serbomadhe dhe apetitet e mëdha nacionaliste të Millosheviqit, shkaktuan Luftën në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, bombardimet e NATO-së mbi të ashtuquajturën “Republikë Federale të Jugosllavisë” por edhe të gjitha luftërat në trevat e ish RSFJ-së.

Vllasi thekson se, për shkak të ambicieve të hegjemonizmit serbomadh të cilat Millosheviqi, me ardhje në pushtet i trimëroi dhe të cilat mund të realizoheshin pa u ndesh me interesat e popujve tjerë në ish Jugosllavi, plasën luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe së fundit në Kosovë.

“Po mos të ishte Millosheviqi me ambicie të tilla, sigurisht që Jugosllavia do të shpërbëhej por në mënyrë paqësore dhe kur deshi Millosheviqi pas luftërave dhe tmerreve që i bëri në Bosnje dhe Kroaci, edhe në Kosovë të bënte edhe një tmerr edhe më të madh, perëndimi u zgjua nga ndërgjegjja që të mos lejoj të vazhdon një tragjedi e tillë dhe ishte bombardimi, praktikisht i detyrueshëm”, tha Vllasi.

Kryetari i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës i cili në vitin 1988 ishte shkarkuar nga detyra e udhëheqësit shqiptar ndërsa nën presionin e tankeve po përgatitej terreni për suprimimin e autonomisë së Kosovës, Azem Vllasi, insiston se Serbia kurrë nuk e ka pasur të vetën Kosovën prandaj s’ka pasur mundësi për ta humbë, sikurse pretendojnë politikanët serbë por, ajo që ka ndodhur është se Millosheviqi e ka hasmuar Serbinë me Kosovën dhe i ka pru në kulminacion armiqësinë në mes të serbëve dhe shqiptarëve.

“Deri sa ka qenë Jugosllavia Federative, Kosova e ka pasur me Kushtetutën e 74-tës një status si njësi federale, me gjitha kompetencat e brendshme të cilat i kanë pasur edhe republikat dhe Millosheviqi me nacionalizmin serb u ngrit që ta shkel atë pozitë kushtetuese të Kosovës, ta kthej Kosovën mbrapa , ku ishte nja 30-40 vjet para asaj kohe, gjë e cila ishte e pamundshme dhe hyni në konfrontim të hapur me neve shqiptarëve dhe me Kosovën, dhe siç thamë, doli populli serb dhe Serbia, pas gjitha këtyre luftërave, si një humbës i madh”, tha Azem Vllasi.

Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në mars të vitit 1989, nga ana e Serbisë dhe ndryshimeve anti-kushtetuese të udhëhequra nga Slobodan Millosheviqi, instalimi i regjimit okupues në Kosovë i cili gjatë viteve të 90-ta, krahas luftërave të përgjakshme në Kroaci e Bosnje, bënte represion të paparë mbi shqiptarët në Kosovë, në vitin 1998, durimit të popullit shqiptar i erdhi fundi dhe filloi lufta çlirimtare e Kosovës.

Me organizimin e aksioneve të para ushtarake në Kosovë dhe paraqitjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, regjimi serb duke përdorur të gjitha kapacitetet ushtarake, policore dhe paramilitare filloi spastrimin e vazhdueshëm etnik të Kosovës, i cili kulmoi me Masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, pas të cilës bashkësia ndërkombëtare organizoi Konferencën e Rambuillet-së.

Dështimi i kësaj konference dhe mos nënshkrimi i Marrëveshjes nga pala serbe, si dhe vazhdimi i spastrimit etnik, rezultoi me fillimin e bombardimve të NATO-së.

Sot me 24 mars, mbushën 16 vjet që nga fillimi i sulmeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe strategjike të Serbisë, të cilat kanë zgjatur 78 ditë pas të cilave, Millosheviqi dhe Serbia kapitulluan.

Bombardimet përfunduan me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilës u larguan forcat serbe nga Kosova, hynë trupat e NATO-së në Kosovë, si dhe menjëherë pas hyrjes së trupave të KFOR-it erdhi deri te kthimi i mbi 800 mijë refugjatëve shqiptarë nga Kosova, të dëbuar me dhunë nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-së në vitin 1999.

Fillimi i ndërhyrjes së NATO-së, më 24 mars 1999, në Kosovë kujtohet si ditë e shpresës së re për Kosovën, vend ky i cili duke i falënderuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-së dhe vendeve të Bashkimit Evropian, i shpëtoi gjenocidit dhe spastrimit etnike të organizuar nga shteti i Serbisë.

Shifrat zyrtare mbi pasojat e represionit të përgjakshëm serb në Kosovë, të botuara në librin “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, “Krimet e Serbisë ndaj fëmijëve në Kosovë 1998-1999”, të publikuara nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Instituti i Historisë tregojnë për masakrat serbe në Kosovë, vrasjet, dhunimet, shkatërrimet dhe depërtimet.

– Bilanci i luftës në Kosovë botuar në “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”

Shtëpi të shkatërruara – dëmtuara të popullatës shqiptare: 100.589

Shkolla të shkatërruara – të dëmtuara me dokumentacion: 358

Zyra të vendit: 71

Shtëpi kulture: 30

Biblioteka publike dhe shkollore: 93

Objekte shëndetësore: 123

Objekte fetare (xhami, teqe, tyrbe): 215

Kisha katolike: 5

Objekte ndihmëse – përcjellëse: 88.101.

Pasojat e luftës në njerëz, masakra të mëdha, vrasje e organizuar, madje edhe të familjeve të tëra gjatë periudhës janar 1998 – 12 qershor 1999:

Të vrarë: 11.840 viktima nga Kosova,

– 1.392 fëmijë deri në 18 vjeç.

– 296 fëmijë deri në 5 vjeç.

– 1.739 femra

– 1.882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare.

– 1.450 banorë ende janë të pagjetur.

– Janë dhunuar 20.400 femra shqiptare.

Sipas të dhënave të UNCHR, në fillim të qershorit 1999, nga Kosova ka pasur afro 1 milion refugjatët të dëbuar prej Kosove, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-së.

Vendosja e refugjatëve sipas shteteve ishte: 443.300 ishin vendosur në Shqipëri; 247.800 në Maqedoni, 69.300 në Mal të Zi; 21.700 në Bosnjë-Hercegovinë. Pra, një total prej 782.100.

Në vendet e tjera të botës u vendosën gjithsej 76.475 refugjatë, duke përfshirë 13.639 në Gjermani, 7.581 në Turqi, 5.829 në Itali, 5.730 në SHBA, pastaj në Francë, Norvegji, Suedi, Britani të Madhe, Poloni, Spanjë, Portugali, Finlandë, Zvicër, Izrael etj.