LAJMI I FUNDIT:

Bien vlerat e manganit në Liqenin e Badocit, IKSHPK: Uji mund të përdoret për pije

Bien vlerat e manganit në Liqenin e Badocit, IKSHPK: Uji mund të përdoret për pije

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se është duke vazhduar monitorimin dhe përcjelljen në vazhdimësi të cilësisë së ujit të destinuar për pije.

“Prej disa javësh vlerat e shtuara të manganit në ujin e pijes që vjen nga Liqeni i Badocit ishin preokupim primar i IKSHPK-së dhe vet popullatës për shkak të ndikimit të manganit në shëndet”, thuhet në njoftim.


IKSHPK shton se në bashkëveprim me KRU “Prishtina” kanë ndërmarrë masat e nevojshme për përmirësimin e gjendjes dhe uljen e vlerave të manganit në nivelin e lejuar për pije.

“Vlerat e manganit në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës në ditët e fundit rezultojnë brenda standardeve të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”, thuhet në njoftim.

Pastrohet uji në Liqenin e Badocit, së shpejti mund të përdoret për pije
Lexo po ashtu Pastrohet uji në Liqenin e Badocit, së shpejti mund të përdoret për pije

Për t’u shpallur uji higjienik dhe i sigurt për pije në zonën e furnizimit nga fabrika e Badocit, në laboratorët e IKSHPK-se Laboratori i parametrave bazik ku testohet Mangani si parametër indikues dhe Laboratori analitik-ICPMS ku testohet mangani si metal i rëndë, sipas procedurave standarde janë kryer tri matje të njëpasnjëshme në tri ditët e fundit:

Më datën 17 nëntor: 0.025-0.05 mg/litër, më datën 18 nëntor: 0.010-0.031 mg/ litër dhe më datën 19 nëntor: 0.017-0.037 mg/ litër

“Bazuar në rezultatet laboratorike, uji në zonat e furnizuara nga Liqeni i Badocit gjegjësisht – Fabrika në Badovc i plotëson kriteret të parapara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 “Cilësia e Ujit për konsum nga njeriu”(vlerat referente të Manganit 50 µg/L (0.05 mg/L). Nga sot vazhdon monitorimi i rregullt si aktivitet themelor i Qendrës së ujit brenda IKSHPK-së”, thuhet tutje në njoftim.

IKSHPK rikujton se misioni kryesor i tij është mbrojtja dhe përparimi i shëndetit të popullatës dhe ky qëllim sigurohet përmes aktiviteteve dhe mbështetjes së plotë në ligjet aktuale në fuqi të përafruara me legjislacionin Evropian. /Telegrafi/