LAJMI I FUNDIT:

Bien çmimet e prodhimit në Kosovë

Bien çmimet e prodhimit në Kosovë

Në tre muajt e parë të këtij viti, çmimet e prodhimit në Kosovë kanë pësuar rënie, ku pjesa më e madhe vërehen te nxjerrja e xehes së metalit dhe prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve.

Kështu bëhet e ditur në raportin “Indeksi i Çmimeve të Prodhimit, tremujori i parë 2020”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përcjell Telegrafi.


Sipas ASK-së, çmimet e prodhimet që kanë pësuar rënie më të ulët janë prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës.

“Çmimet e prodhimit në Kosovë pësuan rënie në një mesatare prej 0.2 për qind në mes të tremujorit të parë të vitit 2019 dhe tremujorit të parë të 2020-së. Rënie më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike vërehen te nxjerrja e xehes së metalit me 5.6 për qind, prodhimi i makinerisë dhe pajisjeve me 4.6 për qind, prodhimi i produkteve minerale jo metalike me 2.9 për qind, prodhimi i mobilieve me 2.2 për qind, prodhimi i pijeve me 2.1 për qind, prodhimi i metaleve me 1 për qind, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me 0.9 për qind, prodhimi i drurit dhe i produkteve të drurit dhe të tapës, përveç mobilieve: prodhimi i artikujve nga kashta dhe materialeve të gërshetuara – thurëse me 0.8 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës me 0.5 për qind, prodhimi i pajisjeve elektrike me 0.5 për qind, grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 0.3 për qind dhe prodhimi produkteve të gomës dhe të plastikës me 0.2 për qind”, thuhet në raport.

ASK thotë se rënia është neutralizuar nga ngritja e çmimeve të prodhimit të lëkurës dhe produkteve prej lëkurës, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve.

“Rënia u neutralizua nga ngritja e çmimeve te: prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës me 7 për qind, prodhimi i produkteve të fabrikuara metalike, përveç makinerisë dhe pajisjeve me 2.6 për qind, prodhimi i mjeteve motorike të (transportit), rimorkiove dhe gjysmë rimorkiove me 1.4 për qind, përpunimi i produkteve ushqimore me 0.7 për qind, xeheroret dhe guroret tjera me 0.4 për qind dhe prodhimi produkteve kimike me 0.4 për qind”, përfundon raporti. /Telegrafi/