LAJMI I FUNDIT:

Bie për 10 për qind regjistrimi i bizneseve për tremujorin e parë në Kosovë

Bie për 10 për qind regjistrimi i bizneseve për tremujorin e parë në Kosovë

Në tremujorin e parë të vitit 2020 janë regjistruar 2,311 ndërmarrje. Krahasuar këtë tremujor me tremujorin paraprak ka një rënie prej 9.94 për qind, ndërsa, krahasuar tremujorin e këtij viti me atë paraprak ka rënie prej 3.86 për qind të ndërmarrjeve të regjistruara.

Kështu thuhet në raportin “Repertori mbi Ndërmarrjet Ekonomike, tremujori i parë 2020”, prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, përcjell Telegrafi.


ASK thotë se tregtia prinë me numrin e bizneseve të regjistruara, pasuar nga prodhimi dhe akomodimi.

“Për sa u përket aktiviteteve ekonomike, më të preferuarat gjatë këtij tremujori ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 590 ndërmarrje të regjistruara apo 25.5 për qind; prodhimi me 363 ndërmarrje të regjistruara apo 15.7 për qind; akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 270 ndërmarrje të regjistruara apo 11.7 për qind; aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 225 ndërmarrje të regjistruara apo 9.7 për qind; dhe ndërtimtaria me 213 ndërmarrje të regjistruara apo 9.2 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së.

Gjatë këtij tremujori, në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar, ASK thotë se ja janë gjithsej 2,209 ndërmarrje të regjistruara apo 95.6 për qind e tyre. Në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar janë 64 sosh apo 2.8 për qind; në kategorinë me 10 deri 19 të punësuar janë 25 ndërmarrje të regjistruara apo 1.1 për qind, në kategorinë me 20 deri 249 të punësuar janë 13 ndërmarrje të regjistruara apo 0.6 për qind, ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar, nuk ka ndonjë një ndërmarrje të regjistruar.

Agjencia e Statistikave thotë se në Komunën e Prishtinës janë regjistruara mbi 30 për qind e ndërmarrjeve për këtë tremujor.

“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, ashtu si në çdo tremujor, mbizotëron komuna e Prishtinës me 741 ndërmarrje të regjistruara apo 32.1 për qind, Ferizaj me 178 ndërmarrje të regjistruara apo 7.7 për qind. Prizreni me 162 ndërmarrje të regjistruara apo 7 për qind, Gjilani me 139 ndërmarrje të regjistruara apo 6 për qind, Peja me 133 ndërmarrje të regjistruara apo 5.8 për qind dhe Fushë Kosova me 101 ndërmarrje të regjistruara me 4.4 për qind”, përfundon raporti. /Telegrafi/