LAJMI I FUNDIT:

Biden nominon Jeff Hovenier për ambasador të ardhshëm të SHBA-së në Kosovë

Biden nominon Jeff Hovenier për ambasador të ardhshëm të SHBA-së në Kosovë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nominuar shtatë diplomatë të cilët do të shërbejnë në vende të ndryshme të botës, ai ka nominuar edhe ambasadorin e ri për Kosovën.

Jeff Hovenier është nominuar për ambasador të ardhshëm të SHBA-së në Kosovë. Lidhur me nominim e tij, ka shkruar edhe ambasadori aktual i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, transmeton Telegrafi.


“Urime kolegut dhe mikut tim Jeff Hovenier për nominim e tij si Ambasadori i ardhshëm i SHBA në Kosovë”, ka shkruar Kosnett në Twitter.

Jeffrey M. Hovenier, aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuata në Ankara të Turqisë. Nga gushti 2018 deri në korrik 2019 ai ka qenë i ngarkuari me punë në atë ambasadë.

Më herët, ai ishte zëvendës shef në detyrë i Misionit dhe ministër këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë.

Ai ka shërbyer gjithashtu në misionet e Shteteve të Bashkuara, në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Zoti Hovenier ka përvojë në Kosovë, pasi ka shërbyer në stafin e të Dërguarit Special të OKB për statusin.

Në vitin 2018, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e nderoi zotin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, “për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, ishte shprehur diplomati Hovenier.

Nëse konfirmohet nga Senati amerikan, zoti Hovenier do të zëvendësonte ambasadorin aktual Philip S. Kosnett, i cili u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në korrik të vitit 2018, u konfirmua nga Senati në shtator dhe filloi detyrënsi ambasadori i pestë amerikan në Republikën e Kosovës në dhjetor të atij viti

Në Uashington, diplomati Hovenier, ka shërbyer si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore. /Telegrafi/