LAJMI I FUNDIT:

Biden diskuton me udhëheqësit e G7-së për çështjet ekonomike dhe vaksinën kundër COVID-19

Biden diskuton me udhëheqësit e G7-së për çështjet ekonomike dhe vaksinën kundër COVID-19

Presidenti amerikan Joe Biden pritet të diskutoj me udhëheqësit e ekonomive më të mëdha të botës, lidhur me pandeminë COVID-19 dhe shpërndarjen botërore të vaksinave.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Biden më anë të një takimi online, pritet të flasë për nevojën për një përgjigje botërore ndaj pandemisë, përcjell Telegrafi.


Gjatë paraqitjes së tij në takimin e G7-së, presidenti amerikan do të theksojë nevojën për koordinim botëror mbi prodhimin, shpërndarjen dhe furnizimi me vaksina, si dhe përpjekjet botërore për t’u përgatitur dhe mbrojtur nga pandemitë e ardhshme.

Po ashtu, Biden do të flasë për nevojën që vendet e industrializuara të sigurojnë rimëkëmbjen e tyre ekonomike.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu janë zotuar të bashkohen me nismën COVAX, e cila ka për qëllim prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave në vendet në zhvillim.

Biden gjithashtu do të shfrytëzojë rastin për të diskutuar nevojën për të përditësuar rregullat botërore, “për të trajtuar sfida ekonomike të tilla si ato të paraqitura nga Kina”. Ai ka kërkuar që SHBA-ja dhe aleatët e saj të negociojnë një pakt të ri tregtar për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në rajon.

Në të njëjtën ditë, Biden ka vendosur të marrë pjesë në një “takim special” të Konferencës së Sigurisë së Mynihut. /Telegrafi/