Pas viteve të prindërimit intensiv, gjithnjë e më shumë prindër po zgjedhin më pak kontroll, më shumë besim dhe një fëmijëri me më shumë hapësirë për gabime, mërzi dhe pavarësi

"Prindërimi helikopter", ku çdo hap i fëmijës ndiqet, planifikohet dhe kontrollohet, ngadalë po i takon së kaluarës. Në vend të tij po shfaqet një trend i ri: "beta nënat". Bëhet fjalë për prindër që nuk duan më ta shndërrojnë rritjen e fëmijëve në një projekt rraskapitës përsosmërie, por zgjedhin një qasje më të qetë, ku edhe fëmijët, edhe prindërit kanë më shumë liri për të marrë frymë.


Për vite me radhë, rrjetet sociale, presioni i rrethit dhe frika nga dështimi kanë krijuar figurën e prindit ideal: fëmija duhet të ndjekë gjuhë të huaja, sporte, punëtori, të ketë orar të përkryer dhe ushqime të shëndetshme të paketuara sikur të ishin marrë nga Pinterest. Shumë nëna janë ndier sikur duhet të jenë njëkohësisht prindër të përsosur, gra të suksesshme dhe organizatore të gjithë jetës familjare.

Mirëpo, gjithnjë e më shumë prindër po heqin dorë nga ky model.

"Beta nëna" nuk e kontrollon çdo detyrë shtëpie, nuk organizon çdo minutë të kohës së lirë dhe nuk përpiqet ta kthejë fëmijërinë në garë. Përkundrazi, ajo u jep fëmijëve më shumë hapësirë që t’i zgjidhin vetë problemet, të gabojnë, të mërziten dhe të mësojnë si ta organizojnë kohën e tyre.

Kjo nuk do të thotë mungesë kujdesi apo mungesë kufijsh, por më pak presion dhe më shumë besim, transmeton Telegrafi.

Siç shkruan The Guardian, ky trend është shfaqur edhe si reagim ndaj viteve të prindërimit intensiv, që shumë familje i ka çuar drejt lodhjes së skajshme. Prindërit gjithnjë e më shumë kanë besuar se rritja e fëmijës është investim në konkurrueshmërinë e tij të ardhshme, ndaj fëmijëria është kthyer në një projekt që menaxhohet pothuajse si strategji biznesi.

Por kohët po ndryshojnë. Me zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe pasigurinë rreth profesioneve të së ardhmes, shumë prindër po pyesin veten nëse është vërtet kaq e rëndësishme që fëmija të ketë një CV të mbushur që nga shkolla fillore. Gjithnjë e më shpesh po thuhet se qëndrueshmëria, pavarësia dhe stabiliteti emocional do të jenë më të rëndësishme sesa një varg i pafund aktivitetesh dhe perfeksionizmi.

Pikërisht për këtë arsye, "beta nënat" zgjedhin një qasje tjetër. Shtëpia nuk duhet të jetë gjithmonë e rregulluar në mënyrë të përsosur, fëmija nuk duhet të jetë produktiv çdo ditë, ndërsa prindërit nuk duan më të ndihen fajtorë nëse nuk janë të përkushtuar njëqind për qind në çdo çast.

Studimet e viteve të fundit gjithnjë e më shpesh paralajmërojnë edhe për pasojat negative të këtij prindërimi. Mbikëqyrja dhe kontrolli i vazhdueshëm mund të çojnë te ankthi te fëmijët, mungesa e pavarësisë, madje edhe te sjellje rebele më vonë në jetë. Ndërkohë, prindërit digjen duke u përpjekur të arrijnë standarde që pothuajse është e pamundur të mbahen.

Prandaj, kthimi te një prindërim më i qetë për shumëkënd duket si hapi i radhës logjik. Ideja nuk është që prindërit të jenë më pak të pranishëm, por të mos jenë më menaxherë të çdo aspekti të jetës së fëmijës.

Ndërsa kur bëhet fjalë për baballarët, The Guardian në fund bën shaka se "beta babai", në fakt, nuk është zhdukur kurrë. /Telegrafi/