Besimtarët palestinezë rikthehen në xhami – falet xhumaja e parë pa sulme

Besimtarët palestinezë janë mbledhur në xhaminë "Faruk" për namazin e xhumasë pas marrëveshjes së armëpushimit.
Në Gaza u fal namazi i parë i xhumasë pa sulme izraelite pasi u arrit marrëveshja ndërmjet Hamasit dhe Izraelit.
Qindra palestinezë në Gaza u mblodhën në xhaminë, disa pjesë të së cilës janë dëmtuar gjatë sulmeve izraelite.
Ushtria izraelite njoftoi se armëpushimi në Rripin e Gazës ka hyrë në fuqi sot në mesditë pas marrëveshjes së arritur në Egjipt.
Ndryshe, i dërguari i Donald Trump në Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka thënë se SHBA ka "konfirmuar" se Izraeli ka "përfunduar fazën e parë të tërheqjes në vijën e verdhë".
"Periudha 72-orëshe për lirimin e pengjeve ka filluar", shtoi ai.
Në Gaza, zëdhënësi ushtarak i Izraelit i ka paralajmëruar banorët të shmangin zonat nën kontrollin e vendit të tij. /Telegrafi/





















































