Mesfushori Bernardo Silva ka pranuar se Manchester City e dinte që gara për titull do të ishte praktikisht e mbyllur nëse do të humbnin ndaj Liverpoolit, para fitores dramatike në “Anfield”.

Mesfushori portugez tha se skuadra e Pep Guardiolës ishte vetëm disa minuta larg shuarjes së shpresave për titull, para se rikthimi i madh t’u jepte frymë të re ambicieve për të rikthyer trofeun më të rëndësishëm të futbollit anglez.


City e ngushtoi diferencën me Arsenalin në gjashtë pikë dhe siguroi “dopietën” sezonale ndaj Liverpoolit në kampionat për herë të parë pas gati 90 vitesh.

Me gjashtë minuta të mbetura, Silva barazoi rezultatin duke shlyer golin spektakolar nga goditja e dënimit të Dominik Szoboszlai. Hungarezi më pas u përjashtua në kohën shtesë pas një incidenti të çuditshëm me Erling Haaland, ndërsa edhe një gol nga distanca i Rayan Cherki u anulua.

“Për diferencën që kemi për të rikuperuar ndaj Arsenalit ishte e rëndësishme të kërkonim edhe një gol tjetër pasi barazova”, ka thënë Silva.

“Isha i lumtur sepse u rikthyem në lojë, por na duhej edhe një gol tjetër. Është vendi më i vështirë ku mund të vish në Ligën Premier dhe zakonisht edhe një pikë këtu është rezultat i mirë, por ne kishim nevojë për fitore”.

“Për mua është fitorja e parë këtu në nëntë vite, përveç vitit të Covidit. E dinim para ndeshjes se ndoshta gara për titull mbyllej nëse humbnim, ndaj e ndjemë se na duhej patjetër fitorja”.

“Ende ka shpresë dhe do të luftojmë deri në fund. Duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë, gjë që nuk e kemi bërë mirë kohët e fundit. Po ta kishim bërë, do të ishim më afër Arsenalit tani”.

Aktualisht, Arsenali renditet e dyta, gjashtë pikë nën Man Cityn./Telegrafi

telegrafi sport app