Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet me Poloninë të martën mbrëma në ‘Air Albania Stadium’ në Tiranë.

Padyshim kjo është ndeshja më e rëndësishme në histori të Shqipërisë sa i përket kualifikimeve për një Kampionat Botëror.

Kuqezinjtë duan fiutore për ta bërë një hap gjigant drejt sigurimit të pozitës së dytë në Grup.

E për këtë takim tejet të rëndësishëm ka folur edhe kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha në konferencën për shtyp

Sa e rëndësishme është përballja me Poloninë?
Jemi të vetëdijshëm për situatën që jemi tani dhe luajmë një ndeshje të rëndësishme, por edhe nëse sigurojmë vendin e dytë, që na dërgon në play off. Në Evropian ka qenë më e lehtë, por ne do të bëjmë lojën tonë dhe shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje.

Sa mund të ndikojë presioni në paraqitjen e nesërme?
E dimë që mund të bëjmë një gjë që nuk e kemi bërë asnjëherë më parë, por e dimë edhe që pas çdo fitoreje, rrugëtimi bëhet më i vështirë. Në ndeshjen e radhës presioni nuk duhet të jetë mbi ne, por mbi Poloninë. Kemi bërë shumë gjëra të mira deri tani, pavarësisht se si do shkojë ndeshja nesër, megjithatë shpresoj ta interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Sa peshon fakti që duhet të fitojmë ndaj Polonisë, për të pasur çdo gjë në duart tona?
Ne duhet të japim maksimumin në fushën e lojës dhe të jemi të fokusuar për të zbatuar porositë e trajnerit. Ndaj tyre kemi bërë shumë mirë në Poloni, por jemi ndëshkuar nga disa gabime, që nuk duhet t’i përsëritim. Duhet të gabojmë sa më pak dhe më pas të provojmë të shënojmë me kualitetet që kemi. Mund ta fitojmë, duke qenë se kemi edhe tifozët në stadium, që do të na ndihmojnë jo pak. E thashë edhe më herët, që presioni do të jetë mbi polakët, më shumë sesa mbi ne.

Sa ndikon mungesa e Gjimshitit dhe si e sheh duelin me Lewandowskin?
Dihen vlerat e Beratit, që po bën shumë mirë si në kombëtare, ashtu edhe në klubin ku luan, ndaj do të jetë një mungesë e rëndësishme për fatin tonë të keq. Megjithatë edhe Veseli ka bërë mirë në ndeshjen e fundit dhe mendoj se duhet të jemi kompaktë dhe të bëjmë më të mirën, kushdo që luan. Lewa është ndër sulmuesit më të mirë në qarkullim aktualisht dhe jemi të vetëdijshëm, por duhet ta ndalojmë si skuadër. Nëse ia dalim, do të jetë një sukses.

Për nga presioni dhe emocionet, me cilën ndeshje mund ta krahasosh këtë me Poloninë?
Ka shumë ndeshje që përngjajnë me këtë përballje, si ajo me Norvegjinë apo ajo me Serbinë. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshjeje dhe duhet ta marrim me qetësi, pasi kemi bërë shumë mirë deri tani dhe nuk është fundi i botës nëse humbim ndaj Polonisë, që është një kundërshtar i fortë. Do të mundohemi të bëjmë detyrat që na ngarkon trajneri dhe të provojmë të shfrytëzojmë kualitetet.

A keni punuar për të shmangur gabimet në goditjet standarde?
Jemi munduar të ushtrohemi në goditjet standarde, pasi është fakt që Polonia e fitoi ndeshjen falë tyre. Edhe ndaj Hungarisë patëm një situatë të sikletshme, ku ata goditën edhe shtyllën. Megjithatë në këtë situatë, më shumë vlen përqendrimi sesa gjëra të tjera, ndaj nesër do mundohemi të jemi më të vëmendshëm. Edhe në të kaluarën jemi ndëshkuar në minutat e fundit nga goditjet standarde, ndaj duhet të jemi të përgatitur dhe të vlerësojmë maksimalisht këto situata. /Telegrafi/