Berisha: 18 milionë euro për pllaka në rrugën “Xhorxh Bush” janë tepër, zgjidhja është tuneli
Në një intervistë dhënë në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Bekë Berisha, ka komentuar për çështjen e rrugës “Xhorxh Bush”, e cila vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara në kryeqytet.
Berisha tha se projekti aktual, që parashikon vetëm shtrimin e pllakave me një kosto prej rreth 18 milionë eurosh, është i pajustifikuar, duke theksuar se me atë shumë mund të realizohet një zgjidhje më e qëndrueshme.
“Ky projekt kushton tetëmbëdhjetë milionë veç për m’i shtru pllaka, është pak si tepër. Me këto para ne mund ta bëjmë ndryshe – një tunel nëntokësor për qarkullim, ndërsa sipër të mbetet shesh për qytetarët. Kështu e fitojmë dyfishin: qarkullim normal dhe hapësirë publike funksionale,” tha ai.
Sipas tij, tuneli do të lidhte zonën te “Grandi” me hapësirën pranë hotelit “Swiss Diamond”, duke liruar komunikacionin dhe duke ruajtur sheshin si zonë për këmbësorë, biznese dhe aktivitete kulturore.
Berisha u ndal edhe te një problem tjetër që, sipas tij, ka prekur drejtpërdrejt jetën e mijëra qytetarëve – mungesa e pranimeve teknike për banesat.
“Në Prishtinë, 70% e banesave nuk e kanë pranim teknik. Kjo do të thotë se qytetarët nuk mund t’i shesin, as t’i përdorin për hipotekë. Kapitali i tyre është i bllokuar. Duhet një kryetar që e merr me seriozitet këtë çështje dhe e zgjidh. Legalizimet dhe pranimet teknike do ta pasuronin qytetarin me miliarda”, theksoi ai.
Gjatë intervistës, kandidati i AAK-së theksoi se Prishtina ka nevojë për një qasje tjetër në menaxhimin urban, duke i akuzuar qeverisjet e kaluara se nuk kanë sjellë ndryshim konkret.
“Kryetari i komunës ka kompetenca të mëdha. Nuk është justifikim të mbetesh i bllokuar. Qyteti nuk mund të ecë përpara vetëm me premtime. Ne kemi nevojë për dikë që frymon me Prishtinën, prodhim vendor, jo që shfrytëzon besimin e qytetarëve për interesa të ngushta”, u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu foli për planin e tij për Vranjevcin dhe Kodrën e Trimave, duke premtuar koeficient ndërtimi të barabartë me lagjet e tjera, zhvillim infrastrukturor dhe rikthim të dinjitetit urban të këtyre zonave./Telegrafi/

















































