“Bëri një skandal vite më parë”, banorët e zonës për krimin brenda familjes në Lushnjë: Dalladaku qëlloi me çifte drejt shtëpive të fshatit, por me prindërit sillej mirë

Detaje të reja dalin në dritë pas ngjarjes së rëndë në fshatin Zhym të Lushnjes, ku 45-vjeçari Florjan Dalladaku vrau nënën e tij dhe plagosi rëndë babanë.
Banorë të zonës thonë se 45-vjeçari kishte pasur prej vitesh probleme të shëndetit mendor pasi ishte përdorues droge. Sipas tyre ai ishte shtruar dy herë në spital psikiatrik por, pas trajtimit ishte rikthyer në shtëpinë e prindërve.
Një tjetër episod shqetësues, sipas banorëve, ka ndodhur disa muaj më parë, kur 45-vjeçari qëlloi me armë gjahu në drejtim të dyerve të disa banesave në fshat. Sipas tyre, rasti është regjistruar edhe nga policia.
Sipas banorëve të zonës familja Dalladaku nuk kishte probleme ekonomike dhe 45-vjeçari ka jetuar për një periudhë edhe në Itali me vëllezërit, përpara se të rikthehej në fshat.
Tashmë, krahas hetimeve për ngjarjen tragjike, pritet të verifikohet edhe historiku i tij, trajtimet e mëparshme dhe episodet e raportuara nga banorët, për të kuptuar rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë. Ndërkohë në banesën e familjes Dalladaku janë hapur dyert e mortit për ceremoninë mortore të 80-vjeçares që u vra nga i biri.
Hasan Dalladaku gjithashtu i sulmuar nga 45-vjeçari është duke luftuar për jetën ne Spitalin e Traumës. Bashkëshortët Dalladaku kanë tre djem dhe një vajzë. Ata jetonin vetëm me 45 vjeçarin Florianin. /tch/





































