Këto komente ministri Besim Beqaj i bëri sot në ditën e të Konferencës Ndërkombëtare për Opsionet e Qëndrueshme të Energjisë në Kosovë, që po mbahet në Prizren në organizim të KOSID-it, ku po marrin pjesë organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare që merren me fushën e energjisë. “Programi ynë është drejt një orientimi të djathtë ekonomik, që në parim kërkon sa më pak përfshirje të shtetit dhe sa më shumë sektor privat në ekonomi”, tha ai.Sipas tij, nga këto orientime buron orientimi që në sektorin e energjisë përveç investimeve që janë bërë shumë vite nga buxheti, të kemi investime nga sektori privat, investime që do të çojnë në realizim e strategjinë energjetike që është aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, dhe institucionet e kanë obligim ta zbatojnë brenda mundësive. “Sektori i energjisë është sektor kyç, strategjik, sektor që e bënë jetën e qytetarëve dhe ekonominë tonë “të jesh apo të mos jesh”. Ne duhet të zgjedhim atë që është e përdorshme e mundshme për të funksionuar në një shtet”, tha Beqaj.

Ai tha se tani është duke u rishikuar Strategjia për energji, e cila ka pasur tri synime themelore; strategji që është dashur të vendos në fokus sigurimin e furnizimit me energji elektrike, energji të përballueshme për qytetarë dhe që respekton ambientin dhe në këtë kontekst është zhvilluar legjislacioni me synim të bëhet legjislacion funksional në Kosovë i cili është i përafërm me legjislacionin e BE-së dhe SHBA-së.


Kreu i MZHE-së tha se gjithashtu gjatë dy muajve të ardhshëm do të bëhen përgatitjet për të filluar diskutimin e tri ligjeve bazike të energjisë, konform kërkesave për pakon e tretë legjislative të BE-së që është kërkesë edhe e Komisionit Evropian dhe Sekretariatit të TKE –së dhe ka ftuar shoqërinë civile të j

ap kontributin e saj.Më tej ministri Beqaj është ndalur te projektet energjetike me ç’rast ka theksuar se Termocentrali Kosova e Re është në fazën finale të përgatitjes të dokumentacionit të nevojshëm, me qëllim të publikimit të tij për investitorët e parakualifikuar. Dhe të njëjtat u janë dhënë për komente institucioneve relevante BB, KE dhe BERZH.

“Nëse shohim qëndrueshmërinë financiare, nëse shohim qëndrueshmërinë energjetike në rajon jemi të determinuar që të vazhdojmë me projektin ‘Kosova e Re’ dhe ai projekt do të jetë shumë shpejt në proces. Të gjitha kompanitë e parakualifikuara janë të interesuara të vazhdojnë këtë proces duke përfshirë kompani amerikano-greke, amerikano -gjermane dhe turke”, tha ai.

”Në vitin e kaluar kemi licencuar 21 kompani për ndërtim të 20 MW, por kemi paralicencuar edhe 100 MW të tjera në dhjetor të vitit të kaluar, të cilat tani janë në fazën e hartimit të projekteve të tyre përfundimtare, të cilat kanë aprovimin nga komuna edhe nga rregullatori”, tha Beqaj.

Ai tha se MZHE ka dërguar kërkesën për tarifat nxitëse në ZRRE për energjinë solare dhe sipas llogaritjeve çmimi do të jetë jo më pak se 150 euro për MW. Nëse shkohet deri në 20 MW, deri në vitin 2020, kjo do të reflektohet diku rreth 30 euro për faturë për qytetarë, si subvencionim i cili shkon nga shteti.

Ministri Beqaj tha se në bashkëpunim me BB-në dhe KE-në është në përgatitje të konferencës së donatorëve për EE dhe BRE, ku do të flitet edhe për dekomisionimin e TC “Kosova A”. “Ne jemi të interesuar që ta dekomisionojmë “Kosovën A” sa më shpejt që është e mundur, por fushata kundër TC Kosova e Re është zgjatje e jetëgjatësisë së TC Kosova A. Njëkohësisht shfrytëzimi i fushatave kundër Kosovës se Re ka qenë jo humane, jo korrekte me keqpërdorimin e fëmijëve në fushata, e cila sipas standardeve ndërkombëtare nuk do të duhej të lejoheshin”, tha ministri Beqaj. /Telegrafi/