LAJMI I FUNDIT:

Beogradi zien e përzien në Sanxhak: Çdo lajm për incidente këtu, tregon se Beogradi është një hap më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës!

Beogradi zien e përzien në Sanxhak: Çdo lajm për incidente këtu, tregon se Beogradi është një hap më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës!

Cilat janë burimet dhe shkaqet e radikalizmit në Sanxhak? Shumëkush në Sanxhak mendon se Beogradi është fajtori kryesor.

“Po çfarë islamisti radikal? Unë çdo ditë blej tek ai vehabisti senduiç, paguaj dhe shkoj. Dhe kurrë nuk kam ndonjë problem. Më besoni, vetëm mediat e Beogradit shohin këtu ekstremistë. Ndërsa ne kemi brenga të tjera”, thotë një banor i moshuar i Novi Pazarit.


Në këtë qytet me popullatën më të re në Evropë, nuk shihet diçka e tillë. Këtu shihen femra me veshje të ndryshme. Ata thonë se lëvizjet militante nuk u interesojnë fare. Për organizatën radikale “Furkan” ata kanë dëgjuar pas botimit të lajmeve bombastike në media për arrestimin e pjesëtarëve të saj. Ata më shumë janë të shqetësuar për mungesën e punës sesa për numrin e madh të vehabistëve.

Por, studimet demantojnë. Në studimin e Komitetit të Helsinkut thuhet madje se një e pesta e të rinjve në Sanxhak mendon se feja e tyre duhet të mbrohet edhe me dhunë. Ndërsa, çdo i dhjeti mendon se është e justifikueshme që të shkohet edhe në vendet tjera për të mbrojtur fenë islame.

“Kjo sjellje është pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike, mungesës së lirisë dhe pavarësisë së njerëzve. Ndaj edhe mund të manipulohen lehtë”, thotë anëtari i fondacionit “Front” nga Novi Pazari, Semih Duroviq. Ai mendon se edhe shkuarja në shkollat radikale është pasojë e nevojës për përkatësi në ndonjë organizatë dhe kërkesë për identitet.

Në pyetjen se sa njerëz nga Sanxhaku kanë shkuar në vendet tjera për të luftuar, Policia serbe nuk ka ndonjë përgjigje. Në informacionet e fundit të Ministrisë së Brendshme thuhet se nga Sanxhaku në katër vitet e fundit në luftë kanë shkuar mbi 50 persona. Mendohet se tetë prej tyre janë vrarë, ndërsa shtatë janë kthyer në Serbi. Autoritetet mendojnë se numri është zvogëluar pas miratimit vitin e kaluar të Ligjit të ri me të cilin ndalohet organizimi, rekrutimi dhe shkuarja në luftërat jashtë vendit.

Por, të gjitha që dihen në opinion, dihen nga mediat të cilat kanë njoftuar edhe për arrestimet e anëtarëve të organizatës joqeveritare “Furkan”, që akuzohen për përgatitjen e të tjerëve për akte terroriste. Arrestime të ngjashme ka pasur edhe në vitin 2007, por rasti është shpallur sekret i shtetit. Ndaj opinioni kurrë nuk e ka kuptuar nëse është dënuar dikush nga vehabistët e këtij grupi.

Vehabistët në hapësirën e Sanxhakut janë paraqitur për herë të parë në vitin 1997. Pas vitit 2000 janë krijuar edhe institucione të cilat propagandojnë vehabizmin. Grupi për Kriza Ndërkombëtare pohon se në Sanxhak ka rreth 300 simpatizantë të vehabizmit, ndërsa vetëm 50 janë aktivë. Ata njihen për pantallona të shkurta dhe mjekra të gjata.

Por. përkatësia në lëvizjen vehabiste nuk do të thotë se kemi të bëjmë me një militantë, thonë banorët.

“Radikalizmi i tyre ka të bëjë vetëm me fenë dhe dallimet fetare”, thotë Sead Biberoviq, nga organizata “Urban in”. “Të gjithë ata thonë se nuk janë të gatshëm të bëhen terroristë në qytetin tonë”.

Por, fakti që disa prej tyre kanë shkuar të luftojnë në Siri apo Irak, dëshmon se ata janë të gatshëm edhe për këso gjërat. Imami Bekir Makiq thotë se myslimanët po përjetojnë atë që nuk kanë përjetuar kurrë – terrorin.

“Kur thuhet terrorizëm islamik, a thua mund të flitet për terrorizëm të krishterë pas asaj që ndodhi në Norvegji. Jo. Ndaj një gjë e tillë nuk mund t’i mvishet as fesë që si mesazh ka paqen “, thotë Makiq.

Bashkëbiseduesit janë të pajtimit se kjo dukuri ka më shumë të bëj me kriminalitetin. Aktivitetet e tyre varen nga gjendja në vendet ku luftohet. Ata përpiqen që për këto qëllime të mbledhin persona me dosje kriminale, që merren me drogë, tregti të armëve apo vepra të tjera. Por, të parët në shënjestër janë personat e cenuar nga gjendja e rëndë sociale, sepse ata kanë probleme ekzistenciale. Ata më lehtë pranojnë të shkojnë në luftë për shkak të parave.

Banorët e Novi Pazarit thonë se një pjesë të fajit kanë edhe liderët politikë, të cilët janë përçarë në vitin 2007. Në këtë mënyrë janë ndarë edhe imamët, xhamitë, hoxhallarët, profesorët e madje edhe familjet dhe farefisi.

“Atmosfera përçarëse ka shkaktuar krijimin e dhjetëra bashkësive islame dhe organizatave joqeveritare”, pohon Bekir Makiq.

“Ato nuk e kanë dënuar kurrë në mënyrë të prerë terrorizmin. Ndaj, në kokat e të rinjve është krijuar bindja se rruga më e drejtë është shkuarja në luftë dhe rënia shehit”, thotë Sead Biberoviq.

Imami i dikurshëm, e tani lider politik Muamer Zukorliq, është akuzuar shpesh për propagandë terroriste islamike.

“Kjo është bërë me qëllim të goditjes së bashkësisë islame”, thotë Zukorliq. “Kur e mbështesni dikën për muri, ai duhet të mbrohet, sepse nuk ka zgjidhje tjetër”.

Ndërsa, Bekir Makiq mendon se Beogradi do të mund të zgjidhte këto përçarje. Por, shumica këtu mendon se pikërisht Beogradi i ka zier, përzier dhe po i dirigjon dhe kontrollon këto zhvillime në Sanxhak. Banorët e atjeshëm janë të mllefosur me satanizimin e Sanxhakut dhe pyesin: ku është shteti që nuk e rregullon këtë gjendje?

“Çdo lajm për incidente këtu do të thotë se Beogradi është një hap më afër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, thotë Biberoviq.

Në trend Lajme

Më shumë

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Çitaku: Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme do të jetë befasues

Politikë
Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Rashiq për stërvitjet ushtarake serbe: Duan vetëm t’i tregojnë muskujt

Siguri
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori