Bekim Sali: IPA mbetet një instrument kyç për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian


Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, sot hapi mbledhjen e katërt të Komitetit të Përbashkët Monitorues për IPA III, e organizuar në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij hyrëse, ministri Sali theksoi se Instrumenti për Ndihmë Para-Anëtarësuese (IPA) vazhdon të jetë një nga mekanizmat më të rëndësishëm për mbështetjen e reformave, modernizimin e institucioneve dhe përgatitjen e vendit për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
“Integrimi evropian është zgjedhja jonë strategjike dhe vizioni ynë për të ardhmen. Reformat që po zbatojmë nuk janë vetëm pjesë e procesit të anëtarësimit, por investim në institucione më të forta, ekonomi më konkurruese dhe një jetë më cilësore për qytetarët tanë”, deklaroi Sali.
Ai vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe theksoi se në kushtet e momentit të ri politik për zgjerimin e BE-së, vendi duhet të vazhdojë me rezultate konkrete dhe reforma të qëndrueshme.
Gjatë takimit u diskutua për progresin në zbatimin e programeve IPA II dhe IPA III, sfidat e hasura gjatë realizimit të projekteve, si dhe prioritetet për periudhën e ardhshme. Vëmendje e veçantë iu kushtua programeve në fushën e transportit, mjedisit jetësor, kapitalit njerëzor dhe zhvillimit ekonomik.
Ministri Sali theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për forcimin e kapaciteteve administrative, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe shfrytëzimin sa më efikas të fondeve evropiane, me qëllim që mbështetja e BE-së të përkthehet në rezultate konkrete dhe të prekshme për qytetarët.
Në fund, ai falënderoi Komisionin Evropian, Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup dhe shtetet anëtare për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut.



































