LAJMI I FUNDIT:

Bëhet mbjellja e 1,000 fidanëve në Gjilan

Bëhet mbjellja e 1,000 fidanëve në Gjilan

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nehat Ramadani mori pjesë në ngjarjen e mbjelljes së 1,000 fidanëve në komunën e Gjilanit.

Mbjellja u bë bashkërisht nga Ramadani me Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, drejtorin e Agjencisë Turke për bashkëpunim dhe koordinim (TIKA), Cihan Dinçer dhe nënkryetari nga radhët e komuniteteve të Komunës së Gjilanit, Abdylkadër Hyseini.


Ramadani falënderoi ambasadorin Sakar për donacionin, si dhe për bashkëpunimin e pandërprerë mes Republikës së Turqisë dhe Republikës së Kosovës.

Mes tjerash, zëvendësministri Ramadani tha se ky projekt është mbështetje edhe për projekte të ngjashme të pyllëzimit dhe krijimit të hapësirave të gjelbra që po i zhvillon Ministria e Bujqësisë përmes Agjencionit të Pyjeve të Kosovës.

Nga ana tjetër, Ambasadori Sakar tha se ky projekt është pjesë e urës së miqësisë mes dy popujve, në vazhdën e bashkëpunimit të mirë në sferën e bujqësisë dhe përtej.

Fidanët e mbjell janë donacion i ambasadës turke, në nder të 11 nëntorit, ditës së pyllëzimit në Republikën e Turqisë e cila sivjet festohet nën moton “Fryma e së ardhmes”, ndërsa u mbollën tek “Lapidari i Dëshmorëve” në Gjilan. /Telegrafi/