“As Beckham e as Rooney nuk i shpëtuan momenteve të vështira”, Maguire pas kritikave

Harry Maguire ka folur pas humbjes minimale të Manchester United në startin e sezonit të Ligës Premier kundër Arsenalit me rezultat 1-0 në ndeshjen e luajtur në Old Trafford.
Mbrojtësi anglez, në një intervistë për mediumin The Athletic, u shpreh se skuadra meritonte më shumë nga ajo sfidë.
“Është gjithmonë zhgënjyese të humbasësh. Ky klub ka detyrimin të fitojë çdo ndeshje dhe kur vesh këtë fanellë, nuk mund të ndihesh i kënaqur pa tre pikët. Jemi ende me zero pikë, edhe pse e dimë që duhet të kishim më shumë. Nga ana tjetër, pati gjëra pozitive: luajtëm me më shumë intensitet dhe e meritonim të paktën një barazim”, ka thënë fillimisht Maguire.
Maguire foli tutje për konkurrencën në mbrojtje dhe përforcimet e reja.
“Ka konkurrencë të shëndetshme. Trajneri duhet të marrë vendime të vështira sepse kemi një skuadër shumë cilësore. Unë dhe Matthijs mund të luajmë si qendërmbrojtës, por edhe në krahë. E kam treguar me Anglinë, ashtu si edhe ai me Holandën. Kjo konkurrencë është pozitive dhe na ndihmon të gjithëve”.
“Mbeumo, Matheus Cunha dhe Sesko kanë treguar menjëherë se mund të shënojnë dhe të krijojnë raste. Janë të vështirë për t’u mbrojtur. Cunha mund të shënojë nga çdo distancë, Bryan është shumë i rrezikshëm në shtyllën e dytë, ndërsa Benjamin është i fuqishëm, i shpejtë dhe dominon në ajër. Pikërisht ky është niveli i lojtarëve që i nevojiten këtij klubi”.
Anglezi foli edhe për kritikat dhe të kaluarën, duke përmendur emra legjendash si David Beckham dhe Wayne Rooney, teksa theksoi se është mësuar me presionin.
“Kam ditur gjithmonë t’i menaxhoj kritikat. Kam qëndruar i fortë mendërisht dhe tani përpiqem ta përcjell këtë eksperiencë tek më të rinjtë. Të gjithë kanë periudha të vështira, edhe legjenda si Beckham apo Rooney”.
“Personalisht, vetëm gjashtë muajt e parë kanë qenë më problematikë. Dy vitet e gjysmë të fundit kanë qenë shumë pozitive, kam rigjetur marrëdhënie të mirë me tifozët dhe ndihem në një formë të shkëlqyer. Të luash për këtë klub është nder dhe privilegj”.
“E ardhmja? Jam i sigurt se klubi ka dhënë sinjal të prerë se nuk do të më linte të largohesha me çdo kusht. Ka pasur interesime, por përgjigjja ka qenë e qartë. Në muajt e ardhshëm do të diskutojmë për kontratën – nëse do të ketë rinovim apo ndonjë opsion tjetër në janar. Kam idetë e mia, por nuk është momenti për t’i bërë publike. Ky klub është i veçantë dhe do të ishte gabim ta braktisje lehtësisht”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/






















































