eksperti-banner

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër pas deklaratës së gjykatësit kushtetues Osman Kadriu lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve shqiptare të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë dhe rikthimin e emrave nga periudha jugosllave.

Nga BDI vlerësojnë se deklarata e Kadriut përbën një dëshmi shqetësuese për mënyrën se si është zhvilluar i gjithë procesi para Gjykatës Kushtetuese.


Reagimi i plotë i BDI-së:

Deklarata e gjykatësit kushtetues Osman Kadriu pas vendimit për shfuqizimin e emërtimeve shqiptare të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve në Tetovë dhe rikthimin e emrave të periudhës jugosllave, paraqet një dëshmi jashtëzakonisht shqetësuese për mënyrën se si është zhvilluar ky proces.

Sipas vetë gjykatësit Kadriu:

• Komuna e Tetovës nuk e ka mbrojtur vendimin e saj të vitit 2007 dhe nuk ka paraqitur argumentet e nevojshme para Gjykatës Kushtetuese;• Qeveria nuk ka dhënë asnjë përgjigje konkrete dhe nuk ka ndërmarrë asnjë hap për mbrojtjen e këtij akti;• Vendimi është marrë me mbivotim etnik, ku dy gjykatës shqiptarë dhe një gjykatës turk kanë mbetur në pakicë.

Nëse këto pohime janë të sakta, atëherë kemi të bëjmë me një dështim të trefishtë institucional.

Së pari, është e papranueshme që Komuna e Tetovës të mos mbrojë një vendim historik që për gati dy dekada ka qenë pjesë e identitetit urban dhe institucional të qytetit.

Së dyti, është e papranueshme heshtja e Qeverisë përballë një çështjeje që prek drejtpërdrejt marrëdhëniet ndëretnike, karakterin multietnik të shtetit dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Së treti, mbetet thellësisht shqetësuese që çështje me ndjeshmëri të lartë etnike dhe politike të vendosen përmes logjikës së mbivotimit etnik, duke minuar besimin në institucionet që duhet të jenë garantues të barazisë dhe të bashkëjetesës.

Qytetarët meritojnë përgjigje të qarta: pse Komuna e Tetovës nuk e mbrojti vendimin e saj? Pse Qeveria heshti dhe si u lejua që një çështje me pasoja kaq të mëdha për shqiptarët të përfundojë pa asnjë mbrojtje institucionale?