LAJMI I FUNDIT:

Bayraktar: ‘I armatosur’ me vetëm një kitarë, rrëfimi për njeriun që po ndihmon Ukrainën t’i rezistojë Rusisë

Bayraktar: ‘I armatosur’ me vetëm një kitarë, rrëfimi për njeriun që po ndihmon Ukrainën t’i rezistojë Rusisë

Nëse pyesni njerëzit jashtë Ukrainës se cila është vepra më interesante muzikore e këtij vendi, “Kalush Orchestra” ka të ngjarë të jetë përgjigja – pasi grupi mahniti Evropën duke fituar “Eurovision 2022”.

Por brenda Ukrainës, ekziston një artist që është edhe më shumë në harmoni me gjendjen aktuale të Ukrainës: Taras Borovok.

Sipas Euronews, përcjell Telegrafi, 49-vjeçari ka fituar famë pasi krijoi një këngë propagandistike që vlerëson ndikimin e dronëve turq në pengimin e përparimeve të Rusisë.

E quajtur Bayraktar, me të njëjtin emër si droni, kënga tallet me Vladimir Putinin, ushtrinë ruse dhe madje edhe supën e famshme të lakrës në vend, shchi.

‘Thjesht e dija se duhej të ndihmoja vendin tim’

Edhe në fillim të vitit dhe gati tetë javë përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Borovok thotë se ishte i bindur se Moska do të sulmonte.

Ai iu bashkua ushtrisë së Ukrainës menjëherë pasi forcat ruse kaluan përtej kufirit më 24 shkurt.

Por Borovok nuk do të përfshihej drejtpërdrejt në konfliktin ushtarak; në vend të kësaj, atij iu kërkua të ndihmonte për të fituar “luftën e informacionit”.

Kështu, “i armatosur” vetëm me kitarën e tij, ai u ul në studion e tij në Kiev për të shkruar atë që është bërë një nga këngët më të njohura të luftës.

“Shoku im ushtarak erdhi tek unë dhe më pyeti nëse mund të shkruaja një këngë për Bayraktar-ët. Ai tha se ata vepruan mirë në fushën e betejës”, ka thënë Borovok në rrëfimin e tij për Euronews, përcjell Telegrafi.

Çfarë dimë për përdorimin e dronëve Bayraktar nga Ukraina?
Lexo po ashtu Çfarë dimë për përdorimin e dronëve Bayraktar nga Ukraina?

“Më janë dashur vetëm 15 deri në 20 minuta për të shkruar një tekst të tillë. Ishte diçka e shpejtë dhe nuk e kisha idenë se do të bëhej kaq popullor kaq shpejt”.

Por ajo shpejt u bë hit dhe u shikua në YouTube qindra mijëra herë.

Bëhet fjalë për dronët turq të cilët televizioni ukrainas tregon shpesh pamje të tyre, shkatërrimet që kishin bërë dhe muzika e Borovok ishte shoqërimi i përsosur.

“Kam shkruar këngë gjatë gjithë jetës sime…”, tregon Borovok, i cili gjithashtu bën video dhe meme për ushtrinë. “Kur filloi agresioni, unë thjesht e dija se duhej të ndihmoja vendin tim. Mënyra më e mirë që munda ishte me muzikë”.

Por Bayraktar nuk është e vetmja këngë e njohur në mesin e ukrainasve dhe e lidhur me agresionin rus, përcjell Telegrafi.

Edhe pse kënga fituese e Eurovisionit e “Kalush Orchestra” (Stefania) u shkrua para 24 shkurtit, tekstet e saj për vështirësinë për të qenë nënë interpretohen gjerësisht si lufta e Ukrainës për t’u mbrojtur nga Rusia.

Veç kësaj, Andriy Khlyvnyuk, një nga yjet më të mëdhenj të rock-ut të Ukrainës, la një turne në SHBA me grupin e tij BoomBox dhe u kthye për të shërbyer në Forcën e Mbrojtjes Territoriale të vendit.

Ai regjistroi një version të këngës popullore ukrainase “Oh, The Red Viburnum in the Meadow”, e cila fillimisht u shkrua për të nderuar një njësi ukrainase në ushtrinë Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore.

Regjistrimi i Khlyvnyuk, i postuar në Instagram, u bë shpejt viral. Pink Floyd e përdori atë si këngë vokale në këngën e tyre të re “Hey, Hey, Rise Up!”.

‘Po mundohem të jap energji pozitive për të gëzuar njerëzit’

Sipas shkrimit të Euronews, përcjell Telegrafi, Borovok nuk ka turp ta quajë këngën propagandë.

Ai e pranon se qëllimi i tij është të ndikojë te njerëzit, të mbajë moralin lartë dhe të zvogëlojë ndikimin rus.

Duke qenë se Ukraina ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik deri në vitin 1991, shumë ukrainas ende flasin rusisht dhe i dëgjojnë lajmet në atë gjuhë.

Dhe Borovok vlerëson se mungesa e një përpjekjeje të thjeshtë ukrainase për t’iu kundërvënë propagandës ruse do të thotë se pjesë të vogla të shoqërisë besojnë në narrativën ruse të luftës.

“Duhet të kishim bërë diçka shumë kohë më parë, por tani të paktën, lufta duket se i ka bërë njerëzit të kuptojnë se të qenit ukrainas është shumë ndryshe nga të qenit rus”, mendon Borovok.

“Ne jemi një vend i pavarur dhe supozohet të jemi të ndarë nga Rusia”.

Historia e “koktej Molotov” - një rrëfim për prejardhjen e emrit të 'pajisjes ndezëse', të cilën ukrainasit po e përdorin për të luftuar kundër rusëve
Lexo po ashtu Historia e “koktej Molotov” - një rrëfim për prejardhjen e emrit të 'pajisjes ndezëse', të cilën ukrainasit po e përdorin për të luftuar kundër rusëve

“Kjo është lufta përfundimtare për popullin tonë për t’i rezistuar Rusisë. Ne kemi luftuar për këtë kaq shumë vite, madje edhe nën Bashkimin Sovjetik”.

Kur filloi lufta, Borovok dërgoi gruan dhe fëmijët e tij në Poloni, kështu që ai nuk kishte pse të shqetësohej për sigurinë e tyre.

Ai u tha atyre se duhej të ishte në Ukrainë dhe të bënte çfarë mundi për të ndihmuar vendin e tij. Ai nuk i ka parë që atëherë.

“Në ditët e para të luftës, të gjitha platformat e informacionit u ‘shembën’”, tregon Borovok, i cili ndihmoi në krijimin e faqeve në Facebook dhe për t’u siguruar që informacioni të vinte përsëri dhe të funksiononte.

“Në ditët e para, kalova gjithashtu shumë kohë duke krijuar meme qesharake për ushtarët rusë”.

Borovok thotë se shpesh zgjohet natën me ide për muzikë dhe i shkruan ato për të mos i harruar.

I gjithë fokusi i tij është te puna që kur zgjohet deri kur bie në shtrat.

“Unë po përpiqem të jap energji pozitive për të kënaqur njerëzit dhe për t’i bërë ata të besojnë”, thotë Borovok, i cili ka një diplomë në psikologji.

Ai shpesh e përdor atë (psikologjinë) kur shkruan këngë për të përcaktuar se çfarë funksionon më mirë.

Sipas tij, muzika ka një fuqi unike për të arritur te njerëzit, sepse nuk kërkon që njerëzit të lexojnë diçka në mënyrë aktive.

Dhe ai përpiqet t’i bëjë këngët e tij të kuptueshme për çdo person.

“Unë përpiqem të vë një balancë mes tyre duke i bërë qesharake, por jo plotësisht si një komedi”. “Për ta bërë atë të funksionojë, unë duhet t’i bëj njerëzit të mos jenë në panik, por të besojnë se ne mund të fitojmë”.

Për çfarë përdoret muzika propagandistike?

Ekspertja Dr. Kate Guthrie vlerëson se muzika është shpesh një mjet thelbësor për të mbajtur moralin e lartë gjatë luftës.

“Kur kishte sulme ajrore në Britani, gjatë Luftës së Dytë Botërore, shpesh njerëzit shkonin dhe mblidheshin në hapësira të përbashkëta, si stacionet e metrosë në Londër, ose strehimoret komunale dhe këndonin”, kujton Dr. Guthrie, nga Universiteti i Bristolit.

Njihuni me "hakerët ukrainas që po luftojnë Rusinë nga shtëpitë e tyre" - ata janë rreth 300 mijë
Lexo po ashtu Njihuni me "hakerët ukrainas që po luftojnë Rusinë nga shtëpitë e tyre" - ata janë rreth 300 mijë

Disa këngë kishin të bënin me një të nesërme më të mirë, ndërsa të tjera përdornin humorin për ta bërë “më të lehtë jetën gjatë luftës”.

Guthrie, e cila e fokuson kërkimin e saj në muzikën propagandistike të kohës së luftës, tregon shembuj të shkëlqyer të këngëve si “We’re Gonna Hang Out The Washing On The Siegfried Line” dhe “Run Adolf Run”.

“Unë mendoj se të gjitha këto po përdorin komedinë për të ‘zbutur’ një situatë që në thelb është e zymtë. Është një mënyrë e shoqërisë që eksploron gjërat më të errëta në jetë në një mënyrë që është më pak ‘dërrmuese’”, tha ajo.

“Nuk mendoj se njerëzit kanë bërë anketa formale statistikore, por nga llojet e deklarimeve, mund të shohim se njerëzit flasin për përvojat e tyre të këngës në grup gjatë luftës. Kujtimet e njerëzve për ta sugjerojnë se kjo kishte ndikim të fuqishëm”. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Ukrainasit rrëzojnë aeroplanin ushtarak rus që kushton gati 80 milionë euro

Evropa
Duke ecur në plazhin e Essexit, britanikja gjeti një dhëmb vigani 1.8 milion vjeç

Duke ecur në plazhin e Essexit, britanikja gjeti një dhëmb vigani 1.8 milion vjeç

Botë
Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Ajo ngeci në ashensor me njerëz krejtësisht të panjohur, priti ndihmë për katër orë: Historia mori një epilog të pazakontë në Los Angeles

Amerika
Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Rasti i pazakontë në Kroaci - pensionisti zbret nga një ndërtesë, por jo përmes shkallëve

Kroacia
Kalo në kategori