Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar kompanitë ajrore dhe siguruesit ndërkombëtarë se hapësira ajrore ruse po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, duke thënë se lufta e nisur nga Moska nuk mund të mbetet e kufizuar vetëm në territorin e Ukrainës.

“Rusia ishte vendi prej nga erdhën raketat e para dhe dronët e parë, të cilët kaluan kufirin e vendit tonë nga hapësira ajrore ruse. Kjo përshkallëzim nuk mund dhe nuk do të mbetet i kufizuar në territorin ukrainas”, shkroi ai në platformën X.


Ai u bëri thirrje të gjitha kompanive ajrore që përdorin hapësirën ajrore ruse, kompanive të sigurimit dhe operatorëve që përdorin aeroportet kryesore të vendit që ta marrin seriozisht rrezikun e ri.

“Ukraina nuk kërcënon aviacionin civil si të tillë – asnjë aeroplan civil. Thjesht do të ketë dronë në qiellin e Rusisë në një shkallë që duhet të merret parasysh”, deklaroi ai.

Sipas presidentit ukrainas, autoritetet ruse nuk po i informojnë siç duhet qytetarët për rrezikun. Ai paralajmëroi se hapësira ajrore ruse në praktikë do të fillojë të mbyllet.

“Lufta e nisur nga Rusia po i mbyll qiejt e saj”, tha Zelensky.

Ai theksoi se Ukraina nuk dëshiron të humben jetë të pafajshme dhe se pikërisht për këtë arsye po paralajmëron partnerët ndërkombëtarë.

“Ditët e sigurta në qiellin e Rusisë kanë përfunduar”, tha lideri ukrainas, duke kërkuar që paralajmërimi të dëgjohet edhe nga ambasadorët e vendeve që janë të akredituara në Ukrainë, si dhe nga ata që punojnë në Moskë.

Zelensky kërkoi që informacioni t’u përcillet qeverive të vendeve përkatëse, duke përmendur veçanërisht kompanitë ajrore që aktualisht fluturojnë drejt Moskës, Shën Petersburgut dhe destinacioneve të tjera kryesore në Rusi.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe institucionet e tjera ukrainase, sipas tij, do t’u ofrojnë organizatave ndërkombëtare informacione të plota mbi rreziqet në hapësirën ajrore ruse. /Telegrafi/