Bayerni bën ofertën përfundimtare për Upemecanon mes interesit nga Real Madridi dhe PSG

Bayern Munich i ka paraqitur Dayot Upamecanos atë që e konsideron si ofertën përfundimtare për rinovimin e kontratës, sipas raportimeve të Sky Germany.
Kampionët e Bundesligës nuk kanë vendosur një afat zyrtar, por po ushtrojnë presion që mbrojtësi francez të marrë një vendim sa më shpejt, idealisht përpara ditës së fundit të afatit kalimtar.

Drejtori sportiv i klubit, Max Eberl, e konfirmoi qëndrimin e Bayernit të hënën, duke deklaruar:
“Jemi në pritje të një përgjigjeje nga Upamecano”.
Sipas klubit bavarez, oferta aktuale nuk do të përmirësohet më tej, megjithatë mbetet optimizëm se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti.

Deri më tani nuk ka pasur një përparim përfundimtar në negociata, pavarësisht bisedimeve të vazhdueshme prapa skenave.
Ndërkohë, situata po ndiqet nga afër nga Real Madridi dhe Paris Saint-Germain, të cilët janë të interesuar për shërbimet e mbrojtësit 27-vjeçar, me synimin për ta transferuar atë si lojtar të lirë kur kontrata e tij me Bayern Munich të skadojë në qershor të vitit 2026. /Telegrafi/





















































