Bashkimi ngec pas

Më pak se dy muaj para fillimit të edicionit të ri basketbollistik kosovar, ekipi prizrenas nuk është i gatshëm të filloj sezonin e ri. Ai ngec në aspektin organizativ dhe financiar, që edhe i ka shkaktuar probleme në prurjen e përforcimeve dhe njëheresh edhe përcaktimin e ambicieve për sezonin e ri.
Menaxheri i Bashkimit, Arlind Kaçaniku thotë se në krahasim me ekipet e tjera elite, në veçanti Pejës dhe Prishtinës, ekipi ka mbetur mbrapa. “Duhet të jemi real. Bashkimi ka mbetur shumë prapa pas klubeve, por më së shumti pas Prishtinës dhe Pejës, të cilat dallohen si me punën e tyre, e poashtu edhe me synimet që kanë në sezonin e ardhshëm”, tha Kaçaniku për Zërin.
Sipas tij prizrenasit aktualisht janë në fazën e kërkimit të një sponsori, i cili do t’i hapte rrugë edhe punëve të tjera. “Arsyeja e parë dhe e fundit që ne nuk i kemi filluar përgatitjet ashtu siç duhet për sezonin e ri është mungesa e një sponsori. Nëse do të kishim sponsor të fortë si Peja apo Prishtina, me siguri se edhe ne do të ishim në të njëjtin nivel me konkurrentët. Në këtë situatë as nuk mund të llogarisim se çfarë përforcime do të kemi për sezonin e ri, dhe as të përcaktojmë ambiciet tona”, vazhdoi ai.
“Megjithatë shpresoj se gjërat do të përmirësohen shpejt dhe të jemi të gatshëm, që së paku të kapim play-offin në sezonin që vjen. Thjesht, do të punojmë që tifozëve tanë t’iu ofrojmë kënaqësi sikurse sezonin e shkuar. Peja e Prishtina janë pa dyshim favoritë, por për neve mjafton që të futemi në mesin e katër ekipeve më të mira ”, tha në vazhdim menaxheri i Bashkimit për gazetën Zëri, duke shtuar se kanë marrëveshje gojore me disa lojtarë të huaj, por që asgjë nuk ka konkrete, në mungesë të parave. /Telegrafi/




















































