LAJMI I FUNDIT:

Bardhyl Mahmuti ngre dyshime rreth verifikimit të votuesve që po bën KQZ

Bardhyl Mahmuti ngre dyshime rreth verifikimit të votuesve që po bën KQZ

Publicisti Bardhyl Mahmuti, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ka thënë se ka disa dyshime lidhur me verifikimin e votuesve në diasporë që po bën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Mahmuti ka thënë se KQZ ende nuk e ka telefonuar atë dhe bashkëshorten e tij, transmeton Telegrafi.


“Siç njofton KQZ, votimi nëpërmjet postës fillon nesër, më 2 shkurt 2021. Përkundër vërejtjeve që kam pasur rreth mënyrës së verifikimit të saktësisë së aplikimeve (nëpërmjet telefonit) unë dhe bashkëshortja ime kemi aplikuar në afatin e paraparë dhe kemi respektuar vendimet e KQZ-së”, ka shkruar ai.

Tutje, ai thënë se në aplikimin e tij, ka bërë sqarimin e duhur se kur mund ta telefonojnë.

“Përkundër asaj se në aplikimin tim kam sqaruar se për verifikim mund të më thirrin në numrin e telefonit kur të dëshirojnë nga ora 07:00-23:00, ende askush nuk na ka thirrur në telefon për të verifikuar saktësinë e aplikimeve tona”, thotë më tej ai.

Mahmuti ka shkruar se “meqenëse kanë mbetur disa orë përpara se të publikohet lista e atyre të cilëve u është aprovuar aplikacioni për të votuar, më kanë lindur dyshime të mëdha lidhur me mënyrën e përzgjedhjes së votuesve nga diaspora”.

“Kërkoj nga mediat që të sensibilizojnë opinionin publik rreth kësaj çështjeje, përpara se të bëhet vonë dhe të na nxjerrin para aktit të kryer me lista të përzgjedhura’, përfundon reagimi i tij. /Telegrafi/