Barcelona po përballet me një pengesë të papritur në përpjekjet për të liruar hapësirë në kufirin e pagave, për shkak të portierit të saj kryesor, Marc-Andre ter Stegen.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, Ter Stegen ka refuzuar të japë pëlqimin për ndarjen e raportit të tij mjekësor pas operacionit me komitetin mjekësor të La Ligas, një dokument kyç për klasifikimin e dëmtimit të tij si mungesë afatgjatë. Ky klasifikim do të lejonte Barcelonën të përfitonte ndihmën financiare sipas rregullave të lojës së drejtë.


Portieri gjerman u nënshtrua në korrik 2025 në një operacion në shpinë, me pritshmëri që rikuperimi do të zgjasë rreth pesë muaj. Klubi kishte planifikuar që, gjatë kësaj periudhe, të përdorte 80% të pagës së tij për të krijuar hapësirën e nevojshme në kufirin e pagave, çka do t’i mundësonte regjistrimin e përforcimit të ri, Joan Garcia.

Megjithatë, për shkak të ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale, Barcelona nuk mund të ndajë informacionin mjekësor pa miratimin e Ter Stegen, i cili deri tani ka refuzuar. Ky refuzim ka bllokuar mundësinë që klubi të përfitojë nga rregullat dhe për pasojë, hapësira në kufirin e pagave mbetet e kufizuar.

Barcelona ka tentuar të kontaktojë direkt me portierin për ta bindur që të japë pëlqimin e nevojshëm. Ata i kanë dërguar madje një mesazh për të kërkuar një takim dhe për të shpjeguar rëndësinë e situatës, por Ter Stegen ka refuzuar qartë çdo bashkëpunim në këtë drejtim.

Ky qëndrim i papritur ka habitur klubin, pasi deri tani asnjë lojtar në situata të ngjashme nuk ka refuzuar të ndajë të dhënat e tij mjekësore me La Ligën. Refuzimi ka detyruar Barcelonën të përfshijë ekipin e saj ligjor, i cili po shqyrton situatën dhe po analizojnë mundësinë e nisjes së procedurave disiplinore ndaj portierit.

Situata mbetet e tensionuar dhe e ndërlikuar, ndërsa Barcelona përpiqet të gjejë një zgjidhje për të liruar hapësirën e nevojshme në kufirin e pagave, duke synuar që të përfundojë me sukses regjistrimin e lojtarëve të rinj për sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

telegrafi sport app