Barcelona do të përballet sonte me Villarrealin në kuadër të javës së 37-të të La Ligës, në një ndeshje që do të shërbejë edhe si festë për titullin e sapo fituar.

Skuadra katalanase u shpall kampione të Spanjës javën e kaluar, pas fitores 0-1 në derbin ndaj Espanyolit, dhe kështu kjo ndeshje do të jetë një mundësi për ta festuar me tifozët në shtëpi.


Trajneri Hansi Flick ka paralajmëruar rotacione në formacion, duke u shprehur se ka në plan të aktivizojë lojtarë të rinj dhe të japë mundësi atyre që kanë pasur më pak minuta.

Flick ka bërë të ditur se po shqyrton idenë për të luajtur me 11 lojtarë të rritur në La Masia, akademinë e famshme të Barcelonës. Një veprim i tillë do të ishte historik për klubin.

“Folëm për një formacion të mundshëm me 11 lojtarë nga La Masia. Ka një shans që kjo të ndodhë", tha Flick në konferencën për shtyp para ndeshjes.

Nëse kjo realizohet, do të jetë hera e parë në historinë 125-vjeçare të Barcelonës që një ndeshje zyrtare do të fillojë me një formacion plotësisht të përbërë nga lojtarë të akademisë.

Formacioni i mundshëm për sonte përfshin këta emra: Inaki Pena, Hector Fort, Pau Cubarsi, Eric García, David Oduro, Marc Casado, Gavi, Fermín Lopez, Toni Fernandez, Ansu Fati, Lamine Yamal. /Telegrafi/

telegrafi sport app