Mesfushori i ri i Barcelonës, Fermin Lopez, mbetet pjesë e pandashme e projektit të klubit katalanas, pavarësisht zërave për një interesim nga Liga Premier.

Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka mohuar çdo mundësi largimi të lojtarit gjatë verës, duke e cilësuar të paarsyeshme një shitje në këtë fazë.


Në një deklaratë për mediat, Deco theksoi se drejtuesit e klubit nuk kishin asnjë dyshim për të ardhmen e Fermin Lopez, duke e konsideruar atë si një aset të rëndësishëm për skuadrën që po ndërtohet nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

“Nuk donim ta shisnim Ferminin, është një përgjigje e thjeshtë. Ta shesësh atë do të thotë të dobësosh skuadrën”.

Deklarata e tij vjen në mes të raportimeve se Chelsea po përgatitej të paraqiste një ofertë për mesfushorin 21-vjeçar, pas paraqitjeve pozitive të tij në sezonin e kaluar.

Sipas Decos, e vetmja mënyrë që largimi i Fermin Lopez të ishte marrë në konsideratë, do të ishte nëse lojtari vetë do të kërkonte të largohej, por një situatë e tillë nuk ka ndodhur.

“E vetmja mënyrë ishte që Fermin të na kërkonte largimin, por kjo nuk ndodhi. Jemi shumë të kënaqur me praninë e tij në skuadër”, përfundoi drejtori sportiv.

Fermin Lopez ka fituar hapësirë dhe besim në skuadrën e parë të Barcelonës, dhe duket se drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend të rrezikojnë potencialin e tij me një shitje të parakohshme. /Telegrafi/

telegrafi sport app