Barcelona, goditje dhe rikuperime në prag të ndeshjeve vendimtare

Barcelona mori lajme të përziera nga seanca e së enjtes, teksa një tjetër lojtar kyç doli nga planet për shkak dëmtimi, ndërsa në anën tjetër skuadra mori sinjale shumë pozitive nga lojtarët që po rikuperohen.
Fermin Lopez jashtë për disa javë
Pjesa negative për katalanasit lidhet me mungesën e Fermin Lopez në stërvitje. 22-vjeçari, një ndër lojtarët më të qëndrueshëm të Hansi Flick këtë sezon, do të mungojë për disa javë, duke e përjashtuar nga dueli i rëndësishëm kundër Atletico Madrid të martën në Camp Nou.
Lajme të mira nga Pedri

Ndërkohë, Pedri Gonzalez kreu një pjesë të seancës stërvitore me grupin, duke konfirmuar progresin e tij. Flick kishte deklaruar më herët se mesfushori mund të ishte në garë për minutat e para kundër Alaves, dhe gjithçka po shkon sipas planit.
Sipas Diario AS, nëse Pedri përfundon pa probleme seancat e së enjtes dhe të premtes, ai mund të marrë rreth 15 minuta lojë këtë fundjavë.

Rikthimi i tij do të vinte 10 ditë para afatit fillestar të parashikuar prej gjashtë javësh. Megjithatë, edhe nëse luan ndaj Alaves, nisja titullar kundër Atletico Madrid mbetet e pamundur, por pritet të ketë ndikim më të madh nga stoli.
Opsionet e Flick në mesfushë për sfidën ndaj Atletico Madrid

Me rikthimin e Raphinhas dhe Joan Garcias, Barcelona ka rimarrë disa titullarë të rëndësishëm pas ndërprerjes së kombëtareve.
Mungesa e Ferminit pritet ta detyrojë Flick të formojë një mesfushë me Frenkie de Jong dhe Dani Olmo, ndërsa Eric Garcia ka qenë surpriza e trajnerit si mesfushor mbrojtës kundër Chelseat dhe Athletic Club.

Në varësi të gjendjes së Pedrit, në rolin e mesfushorit mbrojtës ndaj Atletico pritet të aktivizohet Eric Garcia ose Marc Casado, ndërsa Marc Bernal mbetet një opsion më i largët, por jo i pamundur. /Telegrafi/


















































