LAJMI I FUNDIT:

Bankat shqiptare po rrisin prezencën në Kosovë, zotërojnë 16.9 për qind të tregut

Bankat shqiptare po rrisin prezencën në Kosovë, zotërojnë 16.9 për qind të tregut

Kosova mbetet i vetmi treg i jashtëm ku sektori bankar shqiptar ka arritur të vendosë një prani të qëndrueshme.

Të dhënat nga Shoqata e Bankave të Kosovës tregojnë se pjesa e tregut të dy bankave me kapital mbizotërues shqiptar ka vazhduar të rritet në vitin e fundit.


Në fund të tremujorit të parë 2023, Banka Kombëtare Tregtare Kosovë dhe Banka Credins Kosovë zotëronin 16.9 për qind të tregut bankar në Kosovë, për një total të përbashkët aktivesh prej afërsisht 1.1 miliardë eurosh. Pjesa e tregut e bankave shqiptare në rritje të ndjeshme nga niveli prej 15 për qind i të njëjtës periudhë të një viti më parë, raporton Monitor, pasi ka marrë të dhëna nga Shoqata e Bankave të Kosovës.

BKT Kosovë po vazhdon të fitojë terren me ritme të shpejta dhe në fund të tremujorit të parë të këtij viti u bë banka e tretë më e madhe në Kosovë, duke kaluar për herë të parë ProCredit Bank Kosovë. Totali i aktiveve të BKT arriti në 1.032 miliardë euro ose 15.9 për qind të tregut.

Pjesa e tregut të BKT Kosovë është rritur me 1.3 pikë përqindje në harkun e 12 muajve të fundit. BKT hyri në tregun Kosovar në vitin 2007, duke nisur fillimisht operacionet si degë e bankës mëmë në Shqipëri.

Pasi në vitin 2018 BKT-Kosovë kaloi kufirin e 10% të tregut bankar në Kosovë, që nga fillimi i vitit 2019 ajo u transformua në një bankë të veçantë, me aksionar të vetëm Bankën Kombëtare Tregtare.

Banka e dytë shqiptare në tregun Kosovar, Credins Bank, e nisi aktivitetin në një moment delikat, gjatë vitit pandemik 2020. Në fund të tremujorit të parë të këtij viti, totali i aktiveve të bankës në pothuajse 64 milionë euro.

Credins mban ende një pjesë të vogël tregu, me vetëm 1% të totalit, por kjo pjesë është rritur ndjeshëm me 0.4 pikë përqindje në 12 muajt e fundit. Banka Credins Kosovë kontrollohet në masën 66.35% të aksioneve nga Banka Credins Shqipëri, ndërsa pjesa e mbetur e aksioneve zotërohet nga disa sipërmarrës të tjerë shqiptarë dhe kosovarë.

Tregu bankar në Kosovë ka aktualisht 11 banka të licencuara. Raiffeisen Bank Kosovë kryeson tregun me 20.1% të aktiveve, e ndjekur nga NLB Bank me 16.9% dhe BKT Kosovë, me 15.9%.

Tregu Kosovar në vitet e fundit ka qenë i lakmuar për institucionet financiare shqiptare. Ky treg karakterizohet nga një rritje e shpejtë, nivele të ulëta të kredive me probleme dhe përfitueshmëri ndjeshëm më e lartë krahasuar me tregun bankar në Shqipëri.

Për vitin e kaluar, kthimi mesatar nga kapitali rezultoi në nivelin 16.7 për qind, nga 14.2 për qind që ishte i njëjti tregues për sektorin bankar në Shqipëri. Raporti i kredive me probleme, në fund të tremujorit të parë të këtij viti ishte në nivelin 2 për qind, ndërsa në Shqipëri ky tregues për të njëjtën periudhë ishte 5.15 për qind.

Përveç BKT dhe Credins Bank, edhe Tirana Bank ka qenë e interesuar për të hyrë në tregun Kosovar dhe vitin e kaluar negocioi blerjen e bankës së pestë më të madhe në Kosovë, TEB, por negociatat u mbyllën pa sukses.

Një tjetër subjekt shqiptar që pritet të nisë së shpejti aktivitetin në Kosovë është institucioni financiar jobankë i kredidhënies, NOA. Filiali Kosovar, i kontrolluar në masën 60 për qind nga NOA sh.a., është licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës dhe do të nisë operacionet gjatë muajve në vazhdim. /Telegrafi/