Ekonomia shqiptare do të rritet me 3.2 për qind, sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore për Perspektivat Ekonomike Globale, ose 0.6 pikë përqindje më pak se raporti i janarit.

Edhe për vitin 2023, ekonomia pritet të rritet me 3.5 për qind, 0.2 pikë përqindje më pak se vlerësimi i mëparshëm.

Banka Botërore uli parashikimin e saj për rritjen ekonomike globale dhe paralajmëroi se shumë vende mund të bien në recesion, pasi ekonomia po hyn në një periudhë stagflacioni të ngjashëm me atë të viteve 1970.

Rritja ekonomike globale pritet të bjerë në 2.9 për qind këtë vit, nga 5.7 për qind në vitin 2021 – 1.2 pikë përqindje më pak se parashikimi prej 4.1 për qind në janar, tha Banka.

Rritja pritet të qëndrojë në këto nivele edhe gjatë viteve 2023 dhe 2024, ndërsa inflacioni mbetet mbi objektivin në shumicën e ekonomive, thuhet në raport, duke evidentuar rrezikun për stagflacion.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia dhe rritja e çmimeve të mallrave që erdhi si pasojë e luftës kanë komplikuar dëmin ekzistues të shkaktuar nga pandemia Covid mbi ekonominë globale, për të cilën Banka Botërore tha se tani po hyn në atë që mund të jetë “një periudhë e zgjatur e rritjes së dobët ekonomike me inflacion të lartë”.

“Lufta në Ukrainë, izolimet në Kinë, problemet në zinxhirët e furnizimit dhe rreziku i stagflacionit po pengojnë rritjen ekonomike globale. Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë për t’u shmangur”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet ndjeshëm në 2.6 për qind për vitin 2022, nga 5.1 për qind që ishte në vitin 2021, përpara se të zvogëlohet më tej në 2.2 për qind gjatë vitit 2023, thuhet në raport.

Ndërkohë, rritja në tregjet dhe ekonomitë në zhvillim parashikohet të bjerë në 3.4 për qind për vitin 2022, nga 6.6 për qind që ishte në vitin 2021, shumë më poshtë mesatares vjetore prej 4.8 për qind nga viti 2011 në 2019.

Nga ana tjetër, inflacioni vijon të rritet si në ekonomitë e përparuara, ashtu edhe në ato në zhvillim, duke i shtyrë bankat qendrore që të shtrëngojnë politikat monetare dhe të rrisin normat e interesit, për të frenuar rritjet e mëtejshme të çmimeve. /Telegrafi/