LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore ul parashikimin e rritjes ekonomike, tkurrja më e lartë do të jetë në Evropë

Banka Botërore ul parashikimin e rritjes ekonomike, tkurrja më e lartë do të jetë në Evropë

Banka Botërore ka ulur parashikimin e saj të rritjes botërore për vitin 2022 me pothuajse një pikë përqindje të plotë, pra në 3.2 për qind nga 4.1 për qind.

Sipas presidentit të BB-së, David Malpass tkurrja po ndodh për shkak të ndikimeve nga agresioni ushtarak rus në Ukrainë.


Malpass ka theksuar se BB-ja po i përgjigjej streseve të shtuara ekonomike nga lufta në Ukrainë, duke propozuar një objektiv të ri disa mujor të financimit të krizës prej 170 miliardë dollarësh.

I pari i Bankës Botëroret është shprehur se komponenti më i madh i uljes së parashikimit të rritjes ishte një tkurrje prej 4.1 për qind në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, duke përfshirë Ukrainën, Rusinë dhe vendet përreth.

“Parashikimet gjithashtu janë duke u ulur për ekonomitë e përparuara dhe shumë në zhvillim për shkak të rritjeve të çmimeve të ushqimit dhe energjisë të shkaktuara nga ndërprerjet e furnizimit të lidhura me luftën në Ukrainë. Ne po përgatitemi për një përgjigje të vazhdueshme ndaj krizës, duke pasur parasysh krizat e shumta. Gjatë javëve të ardhshme, pres të diskutoj me bordin tonë, një zarf të ri 15-mujor të përgjigjes ndaj krizës prej rreth 170 miliardë dollarësh për të mbuluar prillin 2022 deri në qershor 2023”, tha Malpass.

Ndryshe, Banka Botërore dhe vendet anëtare të Fondit Monetar Ndërkombëtar do të diskutojnë ndihmën e re për Ukrainën dhe pritet të shpallen angazhime specifike nga një numër vendesh donatore. /Telegrafi/