LAJMI I FUNDIT:

Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind, pandemia COVID-19 po kërcënon vendet e punës

Banka Botërore: Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind, pandemia COVID-19 po kërcënon vendet e punës

Në Kosovë, pandemia COVID-19 po ushtron trysni të paprecedent mbi aktivitetin ekonomik dhe kushtet e jetesës së njerëzve dhe se gjatë vitit 2020 ekonomia e vendit do të tkurret me 8.8 për qind.

Kështu thuhet në publikimin e fundit të Bankës Botërore mbi rregullimin ekonomik, përcjell Telegrafi.

Sipas BB-së, rritja e remitancave, zbutja e kufizimeve ndërkombëtare ndaj udhëtimeve, si dhe reagimi i qeverisë përmes politikës fiskale kundërciklike, mund të parandalojnë një tkurrje edhe më të thellë.

“Në Kosovë, pandemia COVID-19 po ushtron trysni të paprecedent mbi aktivitetin ekonomik dhe kushtet e jetesës së njerëzve. Përkundër lehtësimit në muajin qershor 2020 të masave frenuese, ekonomia vazhdon të jetë në rënie, meqë tronditja nga COVID-19 është duke ndikuar negativisht shërbimet e eksporteve të nxitura nga diaspora, investimet dhe konsumin privat. Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020. Mirëpo, rritja e remitancave nga diaspora dhe e eksporteve të metaleve bazë, zbutja e kufizimeve ndërkombëtare ndaj udhëtimeve, si dhe reagimi i qeverisë përmes politikës fiskale kundërciklike, pritet të parandalojnë një tkurrje edhe më të thellë”, thuhet në raportin e BB-së, përcjell Telegrafi.

Raporti tregon se aktiviteti i përgjithshëm ekonomik për vitin 2020 në rajon pritet të tkurret me 4.8 për qind dhe ky vlerësim është 1.7 pikë përqindje më i ulët se parashikimet e bëra në muajin prill.

Një valë e dytë dhe më e fortë e pandemisë që ka nisur nga mesi i muajit qershor, e kombinuar me pasigurinë politike të lidhur me proceset zgjedhore në disa prej vendeve, sipas Bankës Botërore, është bërë pengesë ndaj rimëkëmbjes ekonomike në rajon. Edhe kufizimet ndaj udhëtimeve dhe masat e distancimit social kanë ushtruar trysni negative ndaj rritjes në vendet që janë më të varura nga turizmi. /Telegrafi/