LAJMI I FUNDIT:

Banesa e djegur në lagjen “Ulpiana” – fqinjët thonë se aty jetonte i vetmuar një djalë, qe tre muaj nuk kishte rrymë

Banesa e djegur në lagjen “Ulpiana” – fqinjët thonë se aty jetonte i vetmuar një djalë, qe tre muaj nuk kishte rrymë

Nga një shpërthim zjarri në një banesë në lagjen Ulpiana deri më tani disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Një nga ta është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërkohë që 5 të tjerët tretmanin e kanë marrë në vend ngjarje (probleme me frymëmarrje nga tymi).


Fqinjët thonë se në banesën e djegur ka banuar një djalë i cili qe tre muaj nuk ka pasur energji elektrike.

Fqinjët dyshojnë së zjarri ka mundur të vijë nga ndonjë qiri ose nga ndonjë bombolë gazi.

Ata madje e kanë hequr nga banesa personin pasi që kishte marr lëndime.

Afrim Gashi thotë se së bashku me një shok e kanë shpëtuar viktimën me emrin Enis, por që mbiemri i të cilit mbetet i panjohur.

Gashi thotë se personi rreth moshës 30 vjeçare është rast social dhe në banesë nuk ka rrymë që tre muaj.

Djegia e banesës në lagjen "Ulpiana", lëndohet një person
Lexo po ashtu Djegia e banesës në lagjen "Ulpiana", lëndohet një person

“Enisi është pronari i banesës. Ai njeri është rast social – rrymë që tri katër muaj nuk ka. Ne shpeshherë u kemi thënë atyre të KEK-ut vendosjani rrymën se nuk ka rrymë se është rast social….Nuk e di pse ka ndodhur zjarri – a u djeg me qiri apo nuk është djegur, rrymë në atë banesë nuk ka pasur. E kam parë Enisin, ka qenë duke bërtitur, flokët e përzhitura, i djegtë pak – e kemi kap me një shok dhe e kemi qit jashtë”, tregon Gashi.

Por shkaktarët e zjarrit ende nuk ndihen. Kështu të paktën thotë Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës Flora Ahmeti ka thënë se zjarri është lokalizuar dhe aktualisht njësitet e Policisë në bashkëpunim me zyrtarët relevantë nga institucionet përkatëse, po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në shkaktimin e këtij rasti.

Në vendin e ngjarjes kishin dalë edhe njësitet e zjarrfikësve.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për rajonin e Prishtinës, Latif Zeka lidhur me rastin tha se me të marrë informatën për shpërthimin e zjarrit kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë arritur ta fikin zjarrin.

Sipas tij, ende shkaktarët e këtij shpërthimi nuk dihen. /kp/Telegrafi/