Nga: Neil Armstrong / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Një bandë e krimit të organizuar që vepron në një kryeqytet nuk është ndonjë gjë e pazakontë. Mafia, jakuza dhe triadat, për të përmendur vetëm disa, kanë gjetur terren të frytshëm në qytete anembanë botës. Ajo që i bënë Dyzetë Elefantet [Forty Elephants] më ndryshe, përveç emrit të tyre të çuditshëm, është fakti se ishin një sindikatë e përbërë vetëm nga gra. Dhe, ato drejtoheshin nga një “mbretëreshë”.
Historia e njërës prej lidereve të tyre të para është dramatizuar në një seri të re madhështore me gjashtë episode nga Disney+, krijuar nga Steven Knight, autori i serisë Peaky Blinders. Një mijë goditje [A Thousand Blows] fokusohet te Mary Carr, e luajtur nga Erin Doherty, e njohur më parë për rolin e saj si princesha Anne në Kurora [The Crown], dhe te një tjetër figurë e vërtetë historike, Hezekiah Moscow (Malachi Kirby), një burrë nga Xhamajka që erdhi në Londër në fund të shekullit XIX.
Knight fillimisht u kontaktua nga kompania e produksionit e drejtuar nga çifti Stephen Graham dhe Hannah Walters (të cilët gjithashtu shfaqen në serial) me idenë për të shkruar një dramë rreth Moscowit. “Një histori për një person të vërtetë që erdhi nga Xhamajka, me ambicien për t’u bërë një zbutës luanësh dhe që përfundoi si një boksier i famshëm? Kjo është thjesht e parezistueshme”, thotë Knight për BBC-në. “Dhe, kur hulumtova dhe mësova më shumë për këtë person dhe përvojat e tij, ishte përvojë tepër tërheqëse. Për një kohë të gjatë kisha dashur të tregoja historinë e Dyzetë Elefanteve. Të dyja këto histori të vërteta janë mahnitëse, dhe fakti që ndodhën në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend më bëri të mendoj: ‘Po sikur Mary dhe Hezekiah të ishin takuar?’ Dhe pikërisht për këtë flet ky serial”.
Një mijë goditje fillon me Moscowin dhe mikun e tij, të sapoardhur në kryeqytetin britanik, teksa dëshmojnë një mashtrim vjedhjeje nga Carr dhe banda e saj pranë portit. Së shpejti mësojmë se Carr ka ambicie shumë më të mëdha dhe planifikon një grabitje të guximshme. “Kushdo mund të vjedhë nga fundi”, u thotë ajo ndihmësve të saj. “Është koha që të vjedhim nga maja”. Ajo përplaset me Moscowin në barin Blue Coat Boy, i cili është në pronësi të Henry ‘Sugar’ Goodsonit (Graham) – një luftëtar dhe një figurë tjetër e vërtetë historike. Aty, ajo prezantohet me fjalët: “Unë jam mbretëresha e Dyzetë Elefanteve, banda më e madhe, më e shpejtë dhe më e pavarur e hajduteve në të gjithë Londrën”.
Informacioni i besueshëm për Mary Carrin e vërtetë është i pakët. Ajo lindi në vitin 1862 në Holborn të Londrës, dhe deri në vitin 1881 ishte e burgosur në një qendër korrektuese për gra në Kent, një institucion i rreptë për “gra të rëna moralisht”, drejtuar nga Kisha e Anglisë. Arsyeja e saktë e dënimit të saj nuk dihet, por ajo ishte dënuar për vjedhje në dyqane në moshën 14-vjeçare. Në atë kohë, e ëma e saj kishte vdekur dhe i ati – një hajdut dhe mashtrues – mund të ketë qenë në burg ose jashtë vendit.
Sipas librit të Brian McDonaldit, Alisë Dajmondi dhe Dyzetë Elefantet [Alice Diamond and the Forty Elephants], Carr kishte një pamje mbresëlënëse dhe punonte si shitëse lulesh në Kovent Garden të Londrës. Ajo gjithashtu pozoi si modele për artistë të famshëm, si Dorothy Tennant, e cila botoi librin e ilustruar Arabët e rrugëve të Londrës [London Street Arabs], dhe Frederic Leightonit, autor i pikturës së famshme Qershori i zjarrtë [Flaming June]. Rreth vitit 1890, ajo u shpall “Mbretëreshë” e Dyzetë Elefanteve, një organizatë prej rreth 40 grash, origjina e së cilës mbetet një mister.

Historiania dhe autorja Hallie Rubenhold, e cila ka shkruar disa libra për gratë dhe krimin, është këshilltare historike për serialin Një mijë goditje. “Kisha dëgjuar për Dyzetë Elefantet, por deri sa u përfshiva në këtë projekt, nuk kisha bërë ndonjë kërkim të thelluar mbi to”, thotë ajo. “Ato janë karaktere magjepsëse, por shumë enigmatike. Disa thonë se ekzistonin që në shekullin XVIII, por nuk ka ndonjë studim të thelluar që ta konfirmojë këtë. Natyrisht, kishte shumë gra që ishin hajdute në atë periudhë, siç tregojnë dokumentet e gjyqeve, por kjo nuk do të thotë domosdo se kishin lidhje me Dyzetë Elefantet. Për herë të parë dëgjojmë për to në vitet ’70 të shekullit XIX”.
Banda e Carrit ishte e përqendruar në zonën e Elefant-end-Kasëll [Elephant and Castle] në jug të Londrës dhe shumë nga anëtaret e saj ishin të lidhura me një bandë burrash të njohur si Djemtë e Elefantit. Kjo zonë mori emrin nga një bar i njohur për klientelën e dhunshme. Aktivitetet kryesore kriminale të Dyzetë Elefanteve ishin vjedhja e xhepave dhe grabitjet në dyqane, shpesh duke synuar dyqanet luksoze të Londrës. Carr dhe bashkëpunëtoret shfaqen përsëri dhe përsëri në dosjet e policisë dhe transkriptat e gjyqeve dhe, herë pas here, në lajme të gazetave, zakonisht duke u akuzuar për vjedhje dhe shitje të mallrave të vjedhura.
Në librin e tij Puna në Londër dhe varfëria në Londër [London Labour and the London Poor], botuar në 1851, gazetari dhe aktivisti Henry Mayhew e përshkroi Elefant-end-Kasëllin si një zonë problematike për krimin. Ai gjithashtu përshkroi teknikat e zakonshme të grabitjeve të përdorura nga Carr dhe banda e saj. Dy ose tri gra hynin në një dyqan gjatë orëve të ngarkuara dhe kërkonin të shihnin mallra të ndryshme. “Ato kërkonin të shihnin disa mallra të tjera derisa të merrnin një sasi në banak. Kur shitësi ishte i angazhuar duke marrë disa mallra të tjera nga dritarja ose nga raftet, njëra prej tyre mendonte të fuste një artikull nën mantelin ose shallin e saj, ndërsa tjetra e mbante të shpërqendruar shitësin”. .
Ato vishnin rroba të përshtatura për të lehtësuar vjedhjet. “Ne shpesh gjejmë që fundi i fustaneve të tyre është i veshur nga brenda me një shtresë që zgjatet nga xhepi deri poshtë, duke krijuar një vend të madh fshehjeje rreth gjithë fustanit, me një hapje në pjesën e përparme ku mund të fusnin lehtësisht një send të vogël i cili nuk dallohej”, shkroi Mayhew.
“Njerëzit shpesh prisnin që gratë të ishin më të ndershme dhe të bindura ndaj ligjit, çka u jepte anëtareve të Dyzetë Elefanteve një avantazh kur nisnin ndonjë nga bastisjet e tyre”, thotë Rubenhold. “Veprimtaria e tyre duket se ishte më e sofistikuar dhe e organizuar sesa thjesht një vjedhje e rastësishme”.
Dyzetë Elefantet u bënë gjithashtu eksperte në shantazh. Mary, ose një nga anëtaret e bandës, do ta joshte një zotëri të moshuar në një rrugicë dhe më pas do ta akuzonte se e kishte sulmuar, duke e kërcënuar se do të shkonte në polici. Anëtaret e tjera të bandës do të shfaqeshin dhe do të pretendonin se kishin qenë dëshmitare të “sulmit”. Viktima zakonisht dorëzonte sendet e tij me vlerë për të shmangur skandalin.

Një tjetër element që e veçonte Dyzetë Elefantet nga kriminelët e tjerë ishte fakti se ato duket se kishin një grup rregullash të njohur si “kodi i hajdutëve” – “hoist” ishte termi i tyre për vjedhjen në dyqane. Çdo anëtare e bandës pritej t’i përmbahej këtyre rregullave. Sipas McDonaldit, ato u shkruan nga një bashkëpunëtor mashkull i një familjeje të lidhur me bandën, me synimin për t’i shitur te shtypi, por nuk u publikuan kurrë. Rregullat përfshinin:
“Asnjë pije alkoolike para një bastisjes dhe shkuarja herët në shtrat.”
“Fitimet nga çdo aksion ndahen në mënyrë të barabartë mes anëtareve të përfshira, pavarësisht rolit të tyre.”
“Anëtaret nuk duhet të vjedhin nga njëra-tjetra (as para, as të dashurit)”.
“Dyzetë Elefantet ishin një lloj kooperative”, shkruan McDonald. “Mbretëresha ishte udhëheqësja e padiskutueshme, por ndarja e barabartë e plaçkës dhe fondet e përbashkëta në ndihmë të atyre që arrestoheshin ndihmonin në krijimin e një ndjenje barazie dhe në forcimin e grupit. Urdhri për të mos vjedhur të dashurit e njëra-tjetrës – ndonëse jo gjithmonë i respektuar – ishte menduar për të ruajtur harmoninë e grupit”.

Kontrolli i bandës nga Carr duket se u dobësua pas një çështjeje gjyqësore në vitin 1896, kur ajo u akuzua dhe u dënua për rrëmbimin e një djali gjashtëvjeçar, Michael Magee. Sipas McDonaldit, Carr u shfaq në gjykatë me një mantel të mrekullueshëm prej kadifeje të zezë, të zbukuruar me lesh, mbi një fustan mëndafshi të zi, me një kapelë të stilit Rembrandt me strehë të gjerë dhe pesë pendë struci. Në gishtat e saj shkëlqenin shtatë unaza diamanti, të vlerësuara nga një gazetar me mbi 300 paundë – në një kohë kur paga javore e një punëtori ishte më pak se dy paundë”. McDonald supozon se fëmija ishte shitur nga nëna e tij te një gangster, i cili e kishte lënë në kujdesin e Carrit me qëllimin për ta shitur më vonë te një çift pa fëmijë. Djali u gjet në shtëpinë e Carrit 10 muaj pas zhdukjes së tij, pas një denoncimi anonim në polici. Carr u shpall fajtore dhe u dënua me tre vjet burg. Nëna e Michaelit nuk e donte më djalin dhe ai u dërgua në një institucion për kujdesin e fëmijëve.
Pas lirimit të saj, Mary u arrestua sërish në vitin 1900 për mallra të vjedhura dhe u dënua me dy vjet burg. Pas kësaj, gjithçka shkoi keq për të. McDonald raporton se ajo u përfshi në një grabitje të një dyqani bizhuterish në Londër, në vitin 1909, por nuk u dënua. Më vonë, besohet se ajo operonte në zonën e Mançesterit, ku, duke u paraqitur si Lejdi Mary Carr, ishte e ftuar në ngjarje mondane ku një hajdute dhe mashtruese e aftë mund të përfitonte lehtësisht. Mendohet se ka vdekur në vitin 1924 – por, Dyzetë Elefantet nuk vdiqën bashkë me të.

Një nga pasardhëset e Mary Carrit si mbretëreshë e bandës ishte Alice Diamond, e cila është gjithashtu një personazh në serialin Një mijë goditje. Knight ka përdorur një farë lirie artistike për të ndryshuar pak kohën e ngjarjeve në skenar. Diamondi lindi në vitin 1886 nga prindërit kriminelë. Në moshën 17-vjeçare, ajo u dënua për vjedhje nga një dyqan kapelesh dhe në moshën 20-vjeçare ajo tashmë mbante disa unaza diamanti të cilat i përdorte si armë grushti. Gjatë sundimit të saj, Dyzetë Elefantet u bënë më të dhunshme, duke e çuar bandën në një tjetër nivel kriminaliteti. Prandaj, ka shumë mundësi që Një mijë goditje të vazhdojë si një serial i përsëritur, ashtu si Peaky Blinders.
“Sezoni i dytë tashmë është xhiruar dhe jam shumë i interesuar të vazhdoj të tregoj këtë histori, sepse ka ende shumë për të rrëfyer”, thotë Knight. “Edhe në vitet ‘50 të shekullit XX kishte ende njerëz që e identifikonin veten si pjesë e Dyzetë Elefanteve. E vërteta dhe realiteti janë shumë më interesante se çdo gjë që mund të shpikësh”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Tre kandidatë për deputetë morën vetëm nga dy vota në zgjedhje

Detaje të reja nga KQZ: Vetëm në tri komuna kanë mbetur votat pa u numëruar

Kandidatja për deputete nga Lista për Familje: E votova veten por nuk më figuron, ka manipulime

Flick emëron një klub që mund ta pengojë Barcelonën të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon

“Kamera në hotele për t’i shantazhuar politikanët”, gazetari Panduri tregon detaje se çka zbuloi AKI-ja për spiunët e BIA-s serbe

Limaj, vetë i treti do t'i bashkëngjitej koalicionit qeverisës