LAJMI I FUNDIT:

Ballkani në fokus të zgjedhjeve të BE-së, sfida e integrimit dhe roli në dialogun Kosovë-Serbi

Ballkani në fokus të zgjedhjeve të BE-së, sfida e integrimit dhe roli në dialogun Kosovë-Serbi

Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa nga figurat kryesore të institucioneve të BE-së.

Prej të hënës, 7 prill, në fushatë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është kandidate udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane (EPP) për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të BE-së.


Me të në fushatë do të jetë edhe shefi i deritashëm i kabinetit, Bjoern Seriberg si dhe disa nëpunës të Komisionit, të cilët për të evituar konfliktin e interesit, kanë marrë pushim pa pagesë gjatë kohës së fushatës.

Edhe disa komisionarë tjerë do të jenë në fushatë zgjedhore për partitë e tyre.

Më 24 prill, Parlamenti Evropian do ta mbajë seancën e fundit plenare në këtë përbërje, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor.

BE nuk komenton paralajmërimet e Serbisë për të penguar Kosovën drejt Këshillit të Evropës
Lexo po ashtu BE nuk komenton paralajmërimet e Serbisë për të penguar Kosovën drejt Këshillit të Evropës

Fundi i punës së Parlamentit Evropian, në prag të zgjedhjeve, shënon edhe nisjen e fazës së tranzicionit institucional në BE.

Kjo sepse, pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri, pastaj do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe, po ashtu, edhe një varg krerësh tjerë institucionalë në BE.

E gjithë kjo, thonë diplomatët në BE, mund të ndikojë edhe në angazhimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Ata vlerësojnë kështu pasi për kompletimin e të gjitha pozitave kyçe në institucionet e BE-së do të kalojë një periudhë jo edhe aq e shkurtër, nga pranvera e deri në fund të vitit, varësisht nga gatishmëria e vendeve anëtare për të arritur pajtim rreth ndarjes së posteve.

Formalisht nuk do të ketë ndonjë vakum institucional, për shkak se të gjithë komisionarët aktualë do të jenë në postet e tyre derisa të konfirmohen pasardhësit.

Por, nga aspekti politik, në këtë periudhë BE-ja përmbahet nga ndonjë vendim i rëndësishëm politik financiar apo institucional, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Sa do të ndikojë kjo në angazhimet në Ballkanin Perëndimor do të varet më së shumti nga shpejtësia me të cilën do të emërohen dhe do t’i marrin funksionet e reja ata që do të caktohen në to.

Megjithatë, disa burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në BE, thonë se shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë janë miratuar dhe gjërat mund të lëvizin pavarësisht tranzicionit në BE.

Së fundi u arrit pajtueshmëri mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për pakon financiare prej 6 miliardë eurosh për reforma dhe zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

Në BE arrihet marrëveshja për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor
Lexo po ashtu Në BE arrihet marrëveshja për planin 6 miliardësh për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor

Ky pajtim u arrit nën presion kohor, pothuajse në minutën e fundit, dhe mund të konfirmohet në seancën e fundit plenare më 23 dhe 24 prill.

Pas marrjes së vendimit, fati i këtij plani nuk do të varet më nga Parlamenti Evropian, pos rolit mbikëqyrës që do ta ketë në të ardhmen.

Edhe negociatat e anëtarësimit, që janë hapur me disa vende të rajonit, mund të avancojnë nëse në Këshill do të ketë konsenus, dhe këtu nuk do të ketë nevojë për rol të Parlamentit Evropian.

Hungaria, e cila e merr kryesimin e radhës së BE-së nga 1 korriku i këtij viti, synon që të hapë disa kapituj të negociatave të anëtarësimit me Serbinë, t’i mbyllë disa kapituj me Malin e zi, të hapë negociata për kapitujt e parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe mundësisht edhe t’i nisë negociatat e anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

Këto synime para disa javësh i kishte shprehur përfaqësuesi i Qeverisë së Hungarisë në një debat në Parlamentin Evropian.

Hungaria, po ashtu, beson se edhe pagesat e para për disa vende të rajonit nga fondi i rritjes i Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen në pjesën e dytë të këtij viti.

Krejt këto veprime do të varen plotësisht nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së.

Një proces i cili mund të ndikohet nga transicioni institucional në BE mund të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që, sipas disa diplomatëve të BE-së, edhe ashtu nuk ka shkuar si duhet.

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.

Pasardhësi i tij në rolin e lehtësuesit të dialogut nuk është caktuar.

Para se të caktohet se kush do ta ketë atë rol, BE-ja duhet të vendosë se si e sheh atë proces dhe rolin e saj në të.

Krejt kjo do të varet edhe kush do të jetë në krye të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), që është Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Në rastin ideal, emri i pasardhësit të Josep Borrellit – që e mban këtë pozitë – mund të dihet në verë.

Dhe kjo me kusht që në qershor, vendet anëtare të pajtohen se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian, pastaj ai person të marrë mbështetjen e shumicës në Parlamentin Evropian në seancat e para në korrik.

Në atë rast, me propozim të Këshillit Evropian, me pajtim të presidentit të Komisionit, mund të caktohet edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

BE-ja në presion kohor për ta miratuar formalisht planin për rritje në Ballkan
Lexo po ashtu BE-ja në presion kohor për ta miratuar formalisht planin për rritje në Ballkan

Ai person ka një rol të dyfishtë, sepse në njërën anë është shef i diplomacisë së përbashkët të BE-së ku përfaqëson vendet anëtare, e në anën tjetër me automatizëm edhe anëtar i kolegjit të komisionarëve evropianë si zëvendëspresident i Komisionit.

Prej kur ka hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës, tre persona kanë qenë në këtë pozitë dhe që të tretë kanë luajtur edhe rolin kryesor politik në emër të BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu kishte nisur në mandatin e Catherine Ashton, kishte vazhduar me Federika Mogherinin dhe tash po zhvillohet nën përkujdesjen e Josep Borrellit.

Ndonëse disa vende të BE-së do të donin që para fundit të gushtit të dihet pasardhësi i Lajçakut, që të sigurohet një vazhdimësi, pa ndonjë vakum në atë pozitë, ka edhe të tillë që mendojnë se ai person nuk duhet të emërohet nga Borrelli, por të pritet pasardhësi i tij në postin e Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Por shumica pajtohen se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimi në Bosnje e Hercegovinë – si dy sfidat më të mëdha për BE-në në rajon në aspektin e sigurisë – kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kohën e tranzicionit në BE, për shkak të zgjedhjeve evropiane./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale:  Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Kosova në KiE dhe rezoluta për Srebrenicën, mediat rajonale: Vuçiq e pranoi zyrtarisht humbjen

Lajme
Peci: Nëse draft-statuti nuk dërgohet në Kushtetuese, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk do të hyjë as në rend të ditës

Peci: Nëse draft-statuti nuk dërgohet në Kushtetuese, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KiE nuk do të hyjë as në rend të ditës

Lajme
Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Çitaku: Memli Krasniqi ka pasur kontakte me Vetëvendosjen për ta shpërndarë Kuvendin

Lajme
Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Kryeministri malazez, Spajiq: Nuk do të heqim dorë nga NATO-ja dhe njohja e Kosovës

Lajme
Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Kushtëzimi me Asociacionin, Kurti s’flet për qëndrimin e Gjermanisë rreth anëtarësimit të Kosovës në KiE

Lajme
Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Publikohet dosja, si e rekrutoi inteligjenca ruse Mikhail Zorin të vinte në Shqipëri dhe të mblidhte informacione

Lajme
Kalo në kategori