LAJMI I FUNDIT:

Balla: Kush godet efektivët e policisë, do të marrë ndëshkimin që meriton

Balla: Kush godet efektivët e policisë, do të marrë ndëshkimin që meriton

Kush guxon të godasë dhe të ngrejë dorën mbi punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrë ndëshkimin që meriton”, deklaroi sot Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Duke folur në seancën plenare në Kuvend për Projektligjin për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, Balla tha se “plotësimet e mangësive në Kodin Penal janë pikërisht në bindjen tonë dhe të gjithë shqiptarëve se dhuna nuk mund të tolerohet. Ky është qëndrimi ynë i palëkundur”.


“Sa herë që fenomeni i dhunës do të përsëritet reagimi do të jetë njëlloj. Qofsh ti deputet ish-deputet, ministër ish-ministër kush guxon të godasë një punonjës policie, kjo prej miratimit të ndryshimeve të kodit penal do të jetë një vepër penale që do të marrë vetëm ndëshkim me burg”, nënvizoi Balla.

“Ndëshkimi me burg do të jetë për të vendosur gishtin kokës çdo politikan i papërgjegjshëm që teksa shqiptarët kthehen nga puna duhet të rrinë me orë të tëra deri sa Luli, Mona, Saliu, Mziu, etj me radhë të plotësojnë kuotën javore në planifikimin që politikanë të korruptuar në përpjekje të dështuar për të penguar të ardhmen evropiane të Shqipërisë bëjnë”, tha Balla.

Gjithashtu, vijoi Balla, “edhe rritja e profesionalizmit, dhuna në stadiume, dhunë ndaj mjekëve, punonjësve të policisë, zyrtarëve të shtetit, bllokim i akseve kombëtare, zgjerimi i fushës së mbrojtjes së mjedisit dhe siguria ushqimore. Të gjitha këto janë pjesë e një ashpërsimi me qëllim të mirë për të forcuar shtetin”. /Atsh/Telegrafi/