LAJMI I FUNDIT:

Balaj: Me krijimin e Qeverisë së re do të kërkojmë 20 përqindëshin e aksioneve në Telekom

Balaj: Me krijimin e Qeverisë së re do të kërkojmë 20 përqindëshin e aksioneve në Telekom

Bordi i Telekomit të Kosovës ditë më parë mori vendim për uljen e pagave të punëtorëve të kësaj ndërmarrje prej 10 për qind deri në 20 për qind. E një vendim i tillë ngjalli pakënaqësi tek sindikata e punëtorëve, e cila po beson që ky vendim do të pezullohet.

Kryetari i Federatës Sindikale të Pavarur të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj tha se në takimin që zhvilluan me bordin javën e kaluar kanë kërkuar pezullimin e këtij vendimi.


Sipas tij, deri te vendimi për uljen e pagave erdhi për shkak të rënies drastike të të hyrave, kryesisht për shkak të deklarimeve të zyrtarëve institucional që Telekomi i Kosovës është buzë falimentimit.

Balaj ka thënë se pezullimin e vendimit e kanë kërkuar deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, vendim ky i cili pritet të jepet deri në fund të marsit.

“Sigurisht në takimin që kemi pasur më 8 të parit me bordin kemi kërkuar që të pezullohet ky vendim përkohësisht deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave, sepse ne në parim kemi qenë pjesë e Ligjit. Sigurisht që kemi qenë të shqetësuar sepse në vazhdimësi kemi thënë që pagat e punëtorëve në Telekom nuk shumë sektorë nuk janë në nivelin që duhet me qenë, nuk kemi paga ashtu siç është proklamuar në media. Ne kemi shumë ndërmarrje në Kosovë që marrin buxhet prej Republikës së Kosovës dhe pagat i kanë më të larta, ndërsa Telekomi është e vetmja ndërmarrje që i ka dhënë mbi 500 milionë dhe asnjëherë nuk ka marrë ndihmë nga Qeveria e Kosovës”, tha Balaj për KosovaPress.

Derisa thotë se nuk është as në vullnetin e bordit të Telekomit që të ulen pagat e punëtorëve, Balaj shprehet optimist që ky vendim do të pezullohet.

Në takimin me bordin e Telekomit, ai tha se kanë kërkuar një harmonizim të sektorëve në aspektin e gradave.

“Nuk besoj që ka me pas zbritje të pagave në këtë kohë, duhet me u aprovuar kërkesa jonë po shpresojmë që bordi ka me marrë parasysh dhe unë besoj që ka me marrë parasysh dhe në rast jemi dakorduar me i ulë të gjitha shpenzimet tjera, me shkuar me një harmonizim risektorim, por në rast se nuk mbërrihet ai synimi që tashmë duhet me ditë që Telekomi ka gëzuar shumë borxhe nga e kaluara, ka shumë borxhe që janë akumuluar shumë, atëherë që edhe ne si punëtorë jemi të gatshëm me diskutuar se çka mund të bëjmë, por mirëqenia e punëtorit është e fundi”, deklaroi kryesindikalisti i Telekomit.

Sipas tij, në rast të mospezullimit të vendimit, pagat me 10 përqind zbritje është paraparë t’i marrin të gjithë punëtorët me kontrata të përhershme, ndërsa stafi menaxherial që ka kontrata të përkohshme, do ketë zbritje të pagave prej 20 për qind.

Duke shprehur pakënaqësinë rreth mospërkrahjes së Qeverisë së Kosovës për këtë ndërmarrje, Balaj deklaroi se nëse kërkohet që borxhet e Telekomit të paguhen nga punëtorët e kësaj ndërmarrje, atëherë ata do e kërkojnë 20 përqind të aksioneve të kësaj ndërmarrje me krijimin e Qeverisë së re.

“Sigurisht që në fillim ne kemi kërkuar me u pezulluar nuk është hera e parë që kemi pasur telashe ndoshta duket me pagua atë fajin, ta them troç atë keqmenaxhimin që ka ndodhur, hajnin që ka ndodhur në Telekom, por nëse Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e merr parasysh ne do e marrim situatën në dorë po atëherë është e pakontestueshme nëse tentohet që me pagat e punëtorëve të paguhen të gjitha ato borxhe që janë akumuluar ndër vite, atëherë është e pashmangshme që punëtorët e Telekomit duhet me qenë aksionar të paktën 20 përqind ashtu siç janë të gjitha kompanitë në rajon. Sigurisht që 20 përqindëshi do të kërkohet në kohën kur të formohet qeveria e re pasi është e drejtë e jona legjitime. Përderisa shteti nuk e merr përgjegjësinë dhe është 100 për qind aksionar përderisa shteti i ka marrë mbi 500 milionë aksione sepse ne jemi punëtorë dhe punojmë me pagë, ne do të detyrohemi me lyp pjesën tonë që na takon me ligj. Do e kërkojmë përmes parlamentit me ardhjen e parlamentit do kërkojmë që 20 përqind e aksioneve të Telekomit t’i kthehen punëtorëve”, u shpreh Balaj.

Balaj ka deklaruar se si sindikatë do i shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e negocimit me qëllimi që të pezullohet vendimi për uljen e pagave të punëtorëve të Telekomit të Kosovës.

Kryetari i Federatës Sindikale të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Balaj foli edhe rreth telasheve të mëdha në ofrimin e shërbimeve telefonike të kësaj ndërmarrje telefonike në Kosovës.

Për çka tha se për shkak të mos investimit ndër vite në shërbimet e mirëmbajtjes, janë shkaktuar telashe edhe në ofrimin e shërbimit për konsumatorët e Valës, por që sipas tij, së shpejti do zgjidhjet edhe ky problem, pasi janë afër nënshkrimit të marrëveshjes për mirëmbajtje të pajisjeve me kompaninë Nokia.

Vendimin për ulje të pagave të punëtorëve prej 10 për qind deri në 20 për qind, bordi i Telekomit të Kosovë e bëri të ditur përmes një e-maili më datën 3 janar të këtij viti. /KP/Telegrafi/