LAJMI I FUNDIT:

Bajrami: Fondi Sovran, dështimi i radhës i Qeverisë Kurti

Bajrami: Fondi Sovran, dështimi i radhës i Qeverisë Kurti

Nënkryetarja e LDK-së dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pasi në Kuvend ka kaluar Ligji për Fondin Sovran, duke thënë se ky do të jetë dështimi i radhës së Qeverisë Kurti.

Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se anëtarët e Bordit të Fondit Sovran do të kenë paga të mira e udhëtime nëpër vende ku Fondet Sovrane financohen nga shitja e gazit, naftës dhe metaleve të çmuara, në ndërkohë që Kosova sipas Bajramit do të futet në borxh për t’i dhënë ato para për Fondin Sovran.


“Tani këtij institucioni “të pavarur” Qeveria do t’ia caktoj bordin. Qeveria e cila që tri vite ka zgjedhë të gjitha bordet e ndërmarrjeve publike, e të cilave ju ka dhënë dhjetëra miliona euro subvencione pa sukses, tani do të ju caktoj një superbord i cili do t’i kthej këto ndërmarrje në ‘ndërmarrje profitabile’”, ka shkruar Bajrami.

Sipas nënkryetares së  LDK-së, “Fondi Sovran që themelohet sipas Ligjit që sonte e kaloij LVV, nuk punon sipas Ligjit të Prokurimit, d.m.th. financohet nga buxheti i shtetit, por mjetet i shpenzon sipas rregullave të LVV. Nuk punon sipas Ligjit të Punës. Nuk punon sipas Ligjit për Ndërmarrje Publike. Nuk punon sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare. Nuk punon sipas Ligjit për AKP-në. Ky Ligj punon sipas rregullave të mbretit/Albin Kurti, edhe pse ka gjasa maksimale se ai vetë as idenë e Ligjit dhe të Fondit nuk e ka”.

“Fonde Sovrane kanë shtetet të cilat kanë teprica buxhetore. Qeveria jonë nuk ka tepricë buxhetore. Qeveria ka paraparë që me nda mjete nga buxheti, me hy borxh, e këto mjete me ja dhënë një grupi politik i cili ka mandat që këto ndërmarrje me i kthy në ndërmarrje profitabile, me idenë që mandej akterë privat kanë me ble aksione në këto NP. Ky Fond do të marrë në menaxhim edhe asetet e AKP-së”.

Kurti: Fondi Sovran vendos Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës
Lexo po ashtu Kurti: Fondi Sovran vendos Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës

“Cila është kostoja e shpronësimit? Çka bën Fondi me këto asete? Kush do të ju përgjigjet kreditorëve potencial? Asnjë nga këto pyetje nuk kanë marrë përgjigje”, ka shkruar ajo.

Më tej, Bajrami thotë se, “Fondi thuhet se do të investoj edhe në ndërmarrjet private të ashtuquajtura ‘sipërmarrje kampionë’, të cilat do t’i zgjedhë dhe aprovoj Qeveria. Tani e tri vite ne të gjithë e kemi pa këtë Qeveri që nuk është në gjendje t’i kryej as punët dhe obligimet e veta, tani Qeveria do të marrë borxhe dhe do të bëhet hisedarë edhe në ndërmarrjet private ‘sipërmarrje kampionë’”, thotë nënkryetarja e LDK-së.

“Ndërmarrjet publike që do t’i marrë Fondi janë: Trepça e cika sot nuk ka mjete për paga të punëtorëve, KEK-u me teknologjinë e vitit 1960 , Telekomi që sot të vetmin shërbim që e ofron e ka ‘no service’, Trainkos pa trena, Infrakos pa infrastrukturë dhe Posta pa shërbime”.

“Me bindje të plotë e them se Fondi Sovran do të jetë dështimi i radhës i kësaj Qeverie, por një gjë është e sigurt se anëtaret e Bordit (politik) do të kenë paga të mira e udhëtime të shumta nëpër vende të zhvilluara për të vizituar Fondet Sovrane që financohen nga shitja e gazit, naftës e metaleve të çmuara në ata vende ku operojnë”, ka thënë Bajrami.

Pas miratimit të Fondit Sovran në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar kryeministri Albin Kurti, duke thënë se me këtë vendim Kosova është vendosur në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “pas një pune të gjatë ekipore në konceptin dhe ligjin për Fondin Sovran, në bashkëpunim me donatorët, ekspertët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë që e kanë mbështetur këtë projekt, Kuvendi i Republikës së Kosovës sot miratoi në leximin e dytë Projektligjin për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës”. /Telegrafi/