Babai vret të bijën pasi nuk pajtohej me mendimet e saj për presidentin amerikan

Një grua britanike, Lucy Harrison, 23 vjeçe nga Warrington, Cheshire, u qëllua për vdekje nga babai i saj gjatë vizitës në Prosper, afër Dallasit, më 10 janar të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve, ajo kishte pasur një debat me të për presidentin amerikan, Donald Trump.
Policia e qytetit e trajtoi vdekjen si një mundësi për vrasje pa qëllim, por babai i saj, Kris Harrison, nuk u akuzua penalisht pasi një "Grand Jury" në Qarkun Collin vendosi të mos e ndiqte, shkruan bbc.
Në një seancë të hapur nga Koroneri i Cheshire, i dashuri i Harrison, Sam Littler, përshkroi “debatin e madh” mbi Trumpin, i cili atëkohë ishte gati të fillonte mandatin e dytë presidencial. Littler tha se Lucy shpesh shqetësohej kur babai i saj fliste për armët.
Hetimi zbuloi gjithashtu se babai, i cili kishte emigruar në Amerikë kur Lucy ishte fëmijë, kishte ndjekur më parë rehabilitimin për varësinë nga alkooli.
Mëngjesin e 10 janarit, gjatë debatit për Trumpin, Lucy pyeti babanë e saj se“si do të ndiheshe nëse unë do të isha vajza në atë situatë dhe do të kisha pësuar sulm seksual?”.
Kris Harrison i kishte përgjigjur se kishte dy vajza të tjera që jetonin me të, kështu që nuk do ta shqetësonte shumë. Pas kësaj, Lucy u largua e trishtuar në katin e sipërm.
Pak më vonë, rreth një gjysmë ore para nisjes për aeroport, babai e mori për dorë dhe e çoi në dhomën e tij në katin e parë. Pak sekonda më pas, Littler dëgjoi një të shtëna dhe babai duke bërtitur për gruan e tij. Lucy u gjet e shtrirë pranë banjës.
Nëna e saj, Jane Coates, e përshkroi vajzën si një “forcë të vërtetë të jetës”. Lucy punonte si shitëse në markën e modës Boohoo. /Telegrafi/




















































