LAJMI I FUNDIT:

Avokati i Popullit kërkon kontroll gjyqësor të vendimeve për status të veteranëve (Video)

Avokati i Popullit kërkon kontroll gjyqësor të vendimeve për status të veteranëve (Video)

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se vendimet që janë marrë nga Komisioni për pranimin e statusit të veteranëve të UÇK-së duhet t’i nënshtrohen një kontrolli gjyqësor.

Jashari ka thënë se në Kosovë 65 për qind e ligjeve janë duke u amandamentuar, dhe kjo për të përbën një rrezik për qëndrueshmërinë e tërë sistemit ligjor të Kosovës.


Ku ka folur për ankesat që i shkojnë në drejtim të institucionit që drejton, ka thënë se prijnë ato që janë kundër administratës publike të shtetit, pastaj ato gjyqësore.

Jashari ka alarmuar se edhe në sistemin e Shërbimit Korrektues ka shkelje të drejtave të të burgosurve.

“Si është e mundur që dy të burgosur i kanë plotësuar kushtet, njëri lirohet e tjetri jo. Pra ka shumë shkelje”, ka thënë ai, në emisionin “Puls” të KTV.

Sa i përket shkeljeve të drejtave të punëtorëve në sektorin privat gjendja sipas Jasharit, është e rëndë, e tmerrshme e skandaloze.

“Duke filluar nga mungesa e kontratave, nuk lejohen pushimet vjetore i garantuar me ligj, ka kërcënime në rast se kërkojnë të drejtat e tyre”, ka thënë Jashari, përcjell Koha.net. “Duhet urgjent që shteti të merret me këtë”, ka thënë ai.

Avokati i Popullit ka thënë se ndotja e ambientit nuk guxon të mbahet fshehur ndaj qytetarëve si në rastin e Obiliqit.

“Aty ka me qindra raste nga kanceri, astma dhe sëmundje të rënda, e qytetarët e Kosovës nuk e dinë sa janë vendet e tyre të ndotura. Obiliqi është në gjendje kaotike, aty ka ndotje nga tymtarët, ndotje nga piriti në rrugën kryesore, deponia kryesore e bërllokut e cila nuk ka filtra dhe mund të eksplodojë nga gazrat”, ka thënë Jashari.

Jashari ka thënë se edhe pas 18 vjetësh institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë për kthimin e djersës së 60 mijë kontributdhënësve që nuk po mund t’i marrin mbi 1 miliard e 800 milionë euro para të tyre që kanë mbetur në fondet e pensioneve në ish-Jugosllavi.

“Si Avokat i Popullit, ne kemi bërë kërkese për t’i kthyer këto para në Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, tha ai.