eksperti-banner

“Rasti ‘Tivati’ dhe ekspedita e 87 besnikëve të Vuçiqit nuk janë një ‘vlerësim politik i gabuar’ por një eksport i drejtpërdrejtë i krimit shtetëror, paraushtarakëve partiakë dhe skuadrave rrahëse me qëllim destabilizimin e një shteti sovran siç është Mali i Zi”.

Kështu deklaron avokati serb, Ivan Niniq për Nova, pas skandalit ku shërbimet malazeze të sigurisë kthyen një fluturim çarter me 87 pasagjerë që mbërritën në Tivat në Beograd, pasi u përcaktua se ata ishin persona me dosje dhe të dhëna sigurie.


“Vendimi i autoriteteve malazeze për të ndaluar hyrjen e këtij grupi, ku përfshiheshin persona me interes sigurie, përfaqëson një sinjal serioz institucional dhe një përgjigje ligjore ndaj një kërcënimi të mundshëm për sigurinë kombëtare”, ka deklaruar Niniq.

Sipas informacioneve të publikuara në media rajonale, pasagjerët dyshohet se kishin lidhje me grupe tifozësh, struktura sigurie private dhe raste të ndryshme të kriminalitetit të dhunshëm, përfshirë edhe individë me dënime penale. Po ashtu, disa prej tyre figurojnë në regjistra të kërkimeve ndërkombëtare.

Një element tjetër që ka ngritur pikëpyetje është financimi i fluturimit dhe organizimi i udhëtimit. Deri tani nuk është bërë e ditur se kush e ka paguar çarterin dhe akomodimin e grupit në Tivat.

Sipas Niniq, ekzistojnë dyshime se fonde publike mund të jenë përdorur për këtë qëllim, duke e cilësuar si problem të madh politik dhe moral.

“Është shkatërruese të mendosh se qytetarët po financojnë fluturime çarter për struktura të tilla, ndërsa mungojnë burime për nevoja bazike”, ka thënë ai, duke shtuar se rasti tregon për lidhje të mundshme mes politikës dhe grupeve të organizuara.

Sipas tij, qëllimi i udhëtimit ka qenë organizimi i tubimeve “spontane” në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq gjatë Samitit në Tivat, gjë që autoritetet malazeze e kanë interpretuar si rrezik potencial për rendin dhe sigurinë publike.

Niniq ka shkuar më tej duke e cilësuar situatën si pjesë të një modeli më të gjerë politik në Serbi, ku sipas tij struktura të lidhura me pushtetin përdoren për ndikim jashtë vendit.

Ai ka kritikuar gjithashtu reagimin e autoriteteve serbe, të cilat kanë minimizuar incidentin dhe kanë mohuar përfshirjen e elementeve kriminale në grup.

Nga ana tjetër, media malazeze “Vijesti” ka raportuar se për pasagjerët ishte organizuar edhe akomodim në një kompleks luksoz në Tivat, përmes një marrëveshjeje të lidhur një ditë para fluturimit mes një kompanie hoteliere lokale dhe një agjencie turistike nga Bijeljina.

Edhe pse Vuçiq para kamerave i quan qytetarët e Malit të Zi “vëllezër dhe motra” dhe fton presidentin Jakov Milatoviq për vizitë, praktika në kufi tregon fytyrën e vërtetë të politikës së Beogradit ndaj fqinjëve që refuzojnë të jenë nën ombrellën e tij politike.

Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, në vend të bashkëpunimit rajonal, zbuloi metodat e Beogradit dhe konfirmoi se Serbia me Vuçiqin aktivisht përdor struktura të dyshimta të sigurisë për destabilizimin politik të fqinjëve./The GeoPost