Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli ka thënë se Shpendi Ahmeti të merret me Prishtinën, ose të japë dorëheqje dhe të merret me tema nacionale.

Avdyli, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se Ahmeti po shtiret si një lider nacional në kohën kur sipas tij “Prishtina është shndërruar në Kandahar”.

“Prishtina është shndërruar në Kandahar. Gjysmë ore apo një orë po mbesim vetëm “te rrethi”, ndërsa Ahmeti po merret me çështje nacionale”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se Ahmetit nuk i shkojnë edhe Prishtina edhe bisedimet, prandaj sipas tij ai duhet të bëj njërën zgjedhje, përcjell Telegrafi.

“Ahmeti ose të jep dorëheqje nga Prishtina dhe të merret me çështje nacionale, ose të lë çështjet nacionale dhe t’i kthehet Prishtinës. Të dyja nuk shkojnë, sepse Prishtina është kryeqyteti i gjithë neve dhe aty sillemi te gjithë. Sot Prishtina dhe prishtinasit kanë mbetur jetimë, ndërsa ai [Ahmeti] sillet në Bruksel duke luajtur rolin e njëfarë këshilltari të Hashim Thaçit”.

Duke komentuar vizitën e fundit të delegacionit të Kosovës në Bruksel, Avdyli ka thënë se nuk e di çfarë negociata po zhvillohen me Serbinë kur ata u takuan vetëm me zyrtarët e Bashkimit Evropian.

“Kanë shkuar dhjetë persona që po t’i mbledhësh të gjithë nuk kanë as 6 për qind të votave. Kishte përfaqësues aty që nuk dihet as çfarë partie përfaqëson. Kjo është ajo ku ka ardhur Kosova jonë”, tha ndër të tjera Haxhi Avdyli./Telegrafi/