LAJMI I FUNDIT:

Abdullahu: Fushë Kosova së shpejti 24 orë ujë, qytetarët të kenë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm

Abdullahu: Fushë Kosova së shpejti 24 orë ujë, qytetarët të kenë kujdes me përdorimin e ujit të pijshëm

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Ilir Abdullahu, në një intervistë për Telegrafi.com ka folur për projektin e kyçjes 24 orë në rrjetin e ujësjellësit për qytetarët e Fushë Kosovës.

Ai ka treguar se janë në fazën përfundimtare të përmbylljes së këtij projekti jetik për qytetin e Fushë Kosovës.


“Java që vjen do të kompletohet në tërësi furnizimi me ujë të pijshëm për konsumatorët, ku një pjesë e madhe e tyre vërtet është përballuar me ndërprerje të mëdha në furnizim me ujë për pije. Problemi i mos furnizimit ka ardhur edhe si rezultat i ndërtimeve të reja, që nënkupton rritje të numrit të konsumatorëve derisa, në anën tjetër ka munguar rritja e kapaciteteve të prodhimit te ujit, një prodhim nëntokësorë që është i limituar në akuiferin e pellgut të Sitnicës. Pas ndërtimit të Fabrikës në Shkabaj, situata ka ndryshuar dhe gjendja e furnizimit do të shkojë drejt stabilizimit duke filluar me qytetin e Fushë Kosovës”, tha Abdullahu.

Ai ka treguar se kompaninë KRU “Prishtina” në këtë projekt e kanë ndihmuar Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dhe Komuna e Fushë Kosovës.

Abdullahu tha se si kompani në vazhdimësi kanë synim transparencën gjatë realizimit të investimeve në rrjetin e ujësjellësit dhe projekteve tjera.

“Ujësjellësi i Prishtinës është dhe do te mbetet transparent ndaj të gjitha zhvillimeve në sektorin e ujit në tërë regjionin që mbulon dhe do të jetë në bashkëpunim të plotë me nivelin lokal në të gjitha komunat që jep shërbime, pasi që vetëm bashkëpunimi ngritë shërbimet dhe rritë përgjegjësitë tona ndaj konsumatorit në tërë zonën e shërbimit”, tha kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina”.

Në këtë intervistë Abdullahu ka folur edhe për nivelin e ujit në liqene. “Po hyjmë në një periudhe të gjatë me reshje të pakta si ato të borës dhe të shiut pasi jemi të varur kryesisht nga to në rritje të sasive në akumulacionet tona. Situata në Batllavë dhe Badoc është nën nivelin maximal -5 m. Lusim qytetarët të kenë kujdes në përdorimin e ujit të pijshëm, të mos e keqpërdorin ta ruajnë dhe të raportojmë çdonjërin që keqpërdorë dhe të lajmërojnë cdo keqpërdorues që ne të kemi mundësi të vazhdojmë në furnizim 24/7, një furnizim që nga marsi i 2017 vazhdon të jetë i qëndrueshëm dhe pandërprerë”, theksoi ai.

Abdullahu ka treguar se nuk do të ndalen me investime. “Po investimet janë duke ndodhur dhe priten edhe investime të mëdha në sistemet e ujësjellësit dhe ato të trajtimit të ujërave të zeza”, tregon ai.

Kryeshefi i KRU “Prishtina”, Ilir Abdullahu, në këtë intervistë për Telegrafin tha se janë duke aplikuar shkyçje të konsumatorëve borxhli si dhe procesim të lëndëve nëpërmjet përmbaruesve privat.

“Apelojmë te konsumatorët të jenë të rregullt në pagesa, në mënyrë të evitimin të masave ndëshkuese, pasi që kjo nuk është dëshirë e jona, por jemi të obliguar ta bëjmë një gjë të tillë, pasi që me doemos duhet të kemi vetëqëndrueshmëri financiare në ngritje të shërbimeve gjithnjë e më cilësore”, tha Abdullahu. /Telegrafi/