Sipas disa statistikave, 40 deri 47 për qind e të anketuarve në një moment në karrierën e tyre janë angazhuar në një marrëdhënie romantike me një koleg.

Në një kohë kur njerëzit po shkojnë gjithnjë e më pak në takime dhe po instalojnë gjithnjë e më shumë aplikacione ku mund të gjejnë një partner të mundshëm thjesht duke rrëshqitur gishtin nëpër ekranin e telefonit celular, marrëdhëniet në punë duket se janë bërë një mënyrë praktike për të gjetur dashurinë.

Sidoqoftë, si në çdo marrëdhënie, ka përparësi dhe disavantazhe në marrëdhëniet në punë.

Rreziqet e marrëdhënieve në punë:

Thashethemet dhe ndërprerjet

Pavarësisht se sa partnerë të matur përpiqen të mbajnë marrëdhënien e tyre, herët a vonë ajo do të dalë në dritë dhe kjo mund të bëhet objekt i thashethemeve nga kolegët e tjerë, veçanërisht nëse ka një grindje apo prishje. Dhe pastaj, përveç thashethemeve, ish-partnerët do të duhet të përballen me faktin se, pavarësisht nga ndarja, ata do të duhet të vazhdojnë të shihen çdo ditë.

Marrëdhëniet me eprorët

Marrëdhënia me shefin është një marrëdhënie shumë e komplikuar, e cila mund të jetë kërcënuese për sigurinë e punës dhe karrierën e të dy palëve. Gjithashtu, marrëdhënie të tilla prekin të gjithë punonjësit e tjerë dhe mund të bëjnë që ata të humbin motivimin nëse mendojnë se një person i caktuar po përparon për shkak të lidhjes së tyre. Gjithashtu, nëse marrëdhënia dështon, zakonisht ndodh që vartësi të vendosë të largohet nga kompania, gjë që vë në rrezik sigurinë e tij ose të saj.

Marrëdhëniet me njerëzit e martuar

Marrëdhëniet me të martuarit, i vendosin punonjësit e tjerë në një pozitë shumë të vështirë, dhe kështu prishin klimën e biznesit. Kolegët në situata të tilla shpesh ndihen të pakëndshëm, gjë që mund të shkaktojë frustrim dhe madje zemërim ndaj çiftit në vendin e punës.

Përfitimet e një marrëdhënieje në punë:

Partneri si mbështetje

Duke pasur parasysh që shumë njerëz kalojnë shumicën e ditëve në punë, të kesh një partner që punon në të njëjtën firmë me të njëjtat orë pune mund të jetë një faktor lehtësues. Gjithashtu, ardhja dhe largimi nga puna është shumë më e këndshme kur e ndani atë me partnerin tuaj. Të kesh një partner në punë do të thotë të kesh një person të cilit mund t’i drejtohesh për këshilla të sinqerta në çdo mundësi gjatë ditës, shkruan KP.

Efekti i afërsisë

Efekti i afërsisë është një fenomen psikologjik që ndikon që ne të pëlqejmë gjërat dhe njerëzit që janë fizikisht afër nesh dhe me të cilët ne ndërveprojmë çdo ditë. Një studim zbuloi se deri në 94 për qind të lidhjeve në punë ndodhin midis punonjësve në të njëjtën ndërtesë, nga të cilat 34 për qind me punonjës që ndajnë të njëjtën zyrë.

Efekti i ngjashmërisë

Njerëzit shpesh tërhiqen për shkak të botëkuptimeve të ngjashme dhe interesave të ngjashëm dhe psikologët thonë se marrëdhëniet e tilla shpesh janë më të qëndrueshme. Efekti i ngjashmërisë midis kolegëve është veçanërisht i theksuar, duke pasur parasysh se zgjedhja e punonjësve kryesisht varet nga sa ai përshtatet në kulturën e korporatave.