LAJMI I FUNDIT:

Autostrada Biennale përmbyll konferencën “Revolucioni jemi ne”

Autostrada Biennale përmbyll konferencën “Revolucioni jemi ne”

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor, “Autostrada Biennale”, përmbylli konferencën ndërkombëtare “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”.

Konferenca mblodhi artistë, kuratorë dhe përfaqësues të institucioneve, në panele që kishin për qëllim të adresojnë çështje kulturore nëpërmjet perspektivës së artit, politikës dhe ekonomisë.

Në konferencë u diskutua se si bienalja ka arritur që së bashku me qytetarët dhe partnerët strategjikë të krijojë hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi. Në këtë mënyrë ka stimuluar lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore.

“Arti dhe kultura janë pëlhura që i mbanë komunitetet të bashkuara në Kosovë”, u shpreh Ulrika Richardson, Kordinatore për zhvillim e agjencive të OKB-së (UNKT) duke theksuar ndikimin që Autostrada Biennale ka në komunitet.

Në hapjen e panelit “Revolucioni Jemi Ne – La Rivoluzione Siamo Noi”, Giacinto Di Pietrantonio,, kurator i edicionit të dytë të Autostrada Biennale tha: “Për edicionin e ardhshëm do të punoj me idenë e revolucionit, duke u nisur nga vepra e rëndësishme e Joseph Beuysit. Nuk bëhet fjalë për një revolucion politik, por revolucion personal, pasi arti mund të na ndihmojë të ndryshojmë perspektivën e jetës sonë. Arti është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë”.

Në këtë panel, të moderuar nga Hajrulla Çeku, i ftuar ishte edhe Richard Mei, përfaqësues i Ambasadës amerikane në Prishtinë, i cili vlerësoi veçanërisht rëndësinë e bienales në raport me trashëgiminë e qytetit.

Gjatë kësaj konference, diskutimi u fokusua në atë sesi bienalja e ka bërë qytetin dhe qytetarët pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore, dhe se si ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve.

Në këtë konferencë, ekipi publikoi librin e saj të parë të quajtur “Autostrada Biennale: Libri i Përbashkët”, i cili synon ta promovojë bienalen në mbarë botën duke mbajtur prezantime dhe biseda në ngjarje të ndryshme kulturore.

Edicioni i ardhshëm do të mbahet nga korriku deri në shtator 2019 në Prizren.