LAJMI I FUNDIT:

Autorja e romanit “Ezan”: Osmanlinjtë nuk rrënuan, por ndërtuan!

Autorja e romanit “Ezan”: Osmanlinjtë nuk rrënuan, por ndërtuan!

Romani “Ezan”, i shkrimtares së shpërblyer nga Osjeku i Kroacisë, Ivana Shojat, u kthye në historinë e largët të shekullit të XVI-të, në periudhën e Sulejmanit të Madhërishëm, kur Perandoria Osmane përjetoi kulmin e saj kulturor dhe territorial. Personazhi kryesor i romanit është Ibrahimi i cili në fund të jetës i rrëfen djalit, duke shikuar në të kaluarën dhe në jetën e tij. Ibrahimi dikur ishte Luka, një djalë që u dorëzohet turqve në devshirme, i cili dërgohet mu në qendër të Perandorisë së madhe Osmane, ku bëhet jeniçer.

“Mitizimi është puna më e shëmtuar që i ndodh njerëzimi në vazhdimësi, e cila atë, pra palën tjetër që nuk jemi ne, e shndërron në një përbindësh. Ndërkaq, kam kërkuar që t’i shmangem kurthit për të kaluar në ekstremin tjetër”, thotë Shojat.

Djali Luka nga Ostrozhaci i Hercegovinës, pranë Jabllanicës, në fillim të tregimit dhe rrëfimit për të birin, udhëton larg në lindje, në Stamboll, dhe në fund të romanit kthehet në varrezat turke në Sllavoni, pranë Danubit, ku pas zbulimit të eshtrave të njeriut filloi frymëzimi i vërtetë i autorit.

Shkrimtarja Shojat disa vjet më parë, gjatë shoqërimit me mbrojtësit e atdheut (ushtarët kroatë), diku në fushën e Sllavonisë midis Erdutit dhe Almashit, nga një koleg u paralajmërua se pikërisht ndodhen në vendin që dikur ishin varrezat osmane.

“Mora një lopatë ushtarake dhe fillova të gërmoj dhe isha me fat: gjeta një copë të kockës të këmbës të njeriut. Këtë pas analizës ma konfirmoi një mik patolog i cili tha se kocka është e vjetër të paktën 300 vjet” thotë Shojat.

Duke menduar, pjesërisht duke imagjinuar fatin e mundshëm të ish “pronarit” të kockës së gjetur, autorja Shojat filloi të shkruajë historinë e këtij romani.

Shojat thotë se ishte e inkurajuar të shkruajë romanin “Ezan” me një temë të tillë specifike nga dy këndvështrime: “Këndvështrimi i parë është se ngjarjet historike gjithmonë shihen njëanshëm, e cila u shkon për shtati disa grupeve të njerëzve dhe mitologjistëve. Shpesh harrohet se sa i përgjakshëm ishte shekulli i XVI-të, jo vetëm për shkak të Perandorisë Osmane, por edhe për shkak të reformimit dhe kundër-reformimit që po ndodhte. Ishte një kohë e masakrës së madhe mes të krishterëve të cilën shpesh e harrojmë”.

Këndvështrimi i dytë i autores për romanin është motivimi për pjesën mistike e cila e inkurajon shkrimtaren.

Rrëfimet e Ibrahimit në shtratin e vdekjes, në roman,fillojnë me kujtimet se si duke qenë djalosh merret në devshirme. Ajo përshkruan në mënyrë emocionale ndarjen me nënën e tij dhe pastaj edhe mbërritjen në qendrën e Perandorisë Osmane ku i vendoset emri Ibrahim, ndërsa me vetë aktin e sunetimit, Luka pushon të jetë më një i krishterë.

Marrja peng nëpër tërë historinë e letërsisë kroate, por edhe në letërsinë e popujve tjerë të rajonit, gjithmonë portretizohet si rrëmbimi i dhunshëm i fëmijëve nga prindërit e tyre, si një akt i tmerrshëm dhe i pashpirt të pushtuesve osmanë, por Shojat në romanin e saj ofron një pamje krejtësisht të ndryshme:

“Sa më shumë kalonte koha, kjo për devshirmët ishte një mundësi e madhe pasi që fëmijët ishin lindur në feudalizëm, në anën krishtere, ishin bujkrobër nga familjet bujkrobërish, të gjykuar të qëndrojnë aty. Nuk ka pasur zhvillime, mënyrë për të përparuar, pavarësisht aftësive dhe shkathtësive të tyre. Thjesht, ke lindur i tillë dhe kështu do të qëndroje deri në vdekje. Fëmijët që përfundonin në devshirme, marrja peng, dhe që do të shkonin në disa vende rreth Stambollit ku do të merrnin arsimin bazë – vazhduan të zhvillohen, u shkolluan, ndërsa në disa raste edhe arritën deri në pozita të larta. Kemi disa vezirë që janë nga zonat tona”, thotë ajo. “Gjatë gjithë historisë, në shkolla kemi mësuar se kufijtë që lindin mes qytetërimeve në zgjerimin dhe ata që e mbrojnë veten janë të forta si një gardh i gurit, kjo nuk është e vërtetë. Këta kufij janë të depërtueshëm… Nuk ka asnjë kufi që do të ndalte tregtarët; kultura vazhdon të shkëmbehet. Ne duam të themi se kemi qenë një mburojë e krishterimit, por në fakt Islami dhe Krishterimi kanë komunikuar vazhdimisht, me vetëdije apo pa vetëdije, përmes gërshetimit të kulturave”.

Një nga mitet më të zakonshme në lidhje me pushtimin osman dhe ndëshkimin e të pabindurve në letërsi shpesh është përdorur “ngulitja në hu”, për çka autorja e pohon se është një gënjeshtër historike dhe se kjo në të vërtetë është një zakon i ndëshkimit që vjen nga banorët e lashtë në Ballkan – vllahët.

“Ne vazhdimisht e prezantojmë Perandorinë Osmane si diçka që erdhi tek ne për të djegur dhe shembur. Perandoria Osmane ka ndërtuar. Janë ndërtuar ura mbi lumenj që deri në ardhjen e turqve në rajonin tonë nuk kanë qenë të kalueshme, por janë përdorur ekskluzivisht skela ose diçka të ngjashme për të kaluar përtej lumit. Ata ndoqën romakët dhe vazhduan të ndërtojnë. Romakët ndërtuan rrugë mbi të cilat ne sot kemi shtruar asfalt”, tregon autorja e romanit “Ezan”.

Ajo konsideron se kultura vendore tenton të tregojë të ardhurit si një lloj të errësirës që gllabëron gjithçka dhe se para ardhjes së tyre ka qenë më mirë ndërsa autorja e sheh nevojën e ridefinimit të kësaj dhe vetes tonë.

Në Sllavoni nuk mbeti asnjë xhami pas tërheqjes të osmanlinjëve, ku më parë ishin pesë.

“Kaq për tolerancën. Le të jemi të sinqertë me veten”, porosit lexuesit e saj.

Për autoren, Sulejmani i Madhërishëm është një figurë e rëndësishme që shfaqet në romanin “Ezan”, një figurë historike që meriton vëmendje, sepse ajo beson se një shtrirje e tillë e Perandorisë Osmane nuk mund të arrinte dikush që nuk kishte një konisderatë të thellë të personalitetit dhe edukimit.

“Më vjen keq që herë pas here e shtrembërojnë”, thotë shkrimtarja Shojat.

“Sulejmanin e kam përjetuar si një personalitet kompleks, i cili sikur të ketë qëndruar në dy dhoma. Ai është një poet dhe një i dashuruar që shkruan poezi; në anën tjetër është një luftëtar i pamëshirshëm, njeriu që fiton, i cili nuk heq dorë, i cili ngacmonte Vjenën. Ai ishte një sundimtar jashtëzakonisht inteligjent dhe i zgjuar, pa mëshirë edhe ndaj fëmijëve të tij, të cilët nuk i fal nëse dëshirojnë ta shembin botën e tij”, thotë autorja e romanit Ezan.

Shojat ka një përvojë pasi ka qenë pjesëmarrëse e luftës së fundit në Kroaci, e cila ka shërbyer në mbrojtje të Osjekut.

“Dua të heq maskën nga lufta. Të gjitha mitologjitë nacionale dhe të tjera duan të rrisin trimërinë dhe heroizmin në fushëbetejë, duke injoruar plotësisht realitetin. Njeriu kur është i plagosur, ai është i pafuqishëm, atij nuk i bien ndërmend fjalë të mëdha, ai nuk dërgon mesazhe të mëdha. Kam parë shumë njerëz që ishin pranë meje të plagosur, disa janë shëruar, disa kanë vdekur. Nuk mbaj mend se ndonjëri prej tyre tha diçka mbresëlënëse, asgjë të rëndësishme. Këtu ka dhimbje, thërritet nëna, ka të qara, këto janë momente në të cilat nuk mund të kontrollohen”, thotë Shojat. “Fushëbeteja pas luftës kundërmon erë të keqe; ajo mbetet me kufoma të gjymtuara. Vijnë grabitqarët dhe hajdutët, këtu nuk ka asgjë të bukur. Nëse koha është me diell, për disa orë ajo fillon të kundërmon erë të keqe dhe mbushet me miza”.

Për sa kërkon që përpiqet të gjejë një të vërtetë tjetër rreth ngjarjeve historike, po ashtu edhe personazhet e romanit “Ezan” e bëjnë këtë duke treguar papërsosmërinë njerëzore. Gruaja e dashur e Ibrahimit, Vasilis, u rrit si një ortodokse edhe pse burri i saj ishte një mysliman.

“Dashuria e tij për Vasilisën nuk ka gardh, sepse për dashuri nuk ka rëndësi as dallimi kulturor, as fetar, as gjuhësor, as ndonjë dallim tjetër”, thotë autorja. /AA/