LAJMI I FUNDIT:

Autoritetet serbe “në alarm”: Për shkak të ndalimit të eksportit në Kosovë, dëmi për ekonominë e Serbisë është rreth 150 milionë euro

Autoritetet serbe “në alarm”: Për shkak të ndalimit të eksportit në Kosovë, dëmi për ekonominë e Serbisë është rreth 150 milionë euro

Për shkak të ndalimit të eksportit të mallrave në Kosovë nga qershori i vitit 2023, deri më 1 janar 2024, ekonomia serbe ka pësuar dëme prej rreth 150 milionë eurosh.

Kështu raportojnë mediat serbe, duke cituar kreun e Qendrës për Bashkëpunim Rajonal në Odën Ekonomike të Serbisë, Aleksandar Radovanoviq, përcjell Telegrafi.


Ai ka thënë për agjencinë Beta se autoritetet e Prishtinës e kanë ndaluar importin e të gjitha mallrave më 14 qershor 2023 dhe më 8 korrik të atij viti kanë lejuar importin e “mallrave që u nevojiten”.

Ai ka shtuar se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia nga 8 korriku nuk vlen për lëndët e para, plehrat minerale, makineritë, pajisjet dhe ushqimin e kafshëve.

Kështu, në qershor të vitit 2022, vlera e mallrave të eksportuara nga Serbia ishte, sipas tij, 40.7 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023 vlera e eksporteve ra në 16.7 milionë euro, që është 59 për qind më pak.

Veç kësaj, thuhet se eksportet nga Serbia në Kosovë, në korrik të vitit 2022 kanë qenë 45 milionë euro, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit 2023 vetëm 17 milionë euro ose 62 për qind më pak.

Në gusht 2022 janë eksportuar nga Serbia në Kosovë rreth 45 milionë euro mallra, ndërsa në të njëjtin muaj të 2023 janë eksportuar 21 milionë euro, që është një rënie prej 52 për qind.

Ndërkohë eksportet nga Serbia në Kosovë, në periudhën korrik-nëntor 2022 ishin 177.5 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2023 83.4 milionë euro ose 53 për qind më pak.

Siç theksojnë tutje mediat serbe, Radovanoviq tha se kompanitë ndërkombëtare që kanë fabrika në Serbi dhe marrin pjesë në eksporte me 40 për qind të plasimit të produkteve të gatshme pësojnë dëme të konsiderueshme.

“Ato kompani nuk mund të eksportojnë ushqime, pije, produkte higjienike, produkte kimike, gjithçka që mund të gjendet në tregje për konsum”, citohet të ketë thënë Radovanoviq.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 14 qershor pati ndaluar hyrjen e kamionëve me targa serbe dhe importin e mallrave me origjinë nga Serbia për arsye sigurie. Vendimi ishte marrë pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Më pas, ishte lehtësuar masa e sigurisë duke u hequr për lëndën e parë dhe “gjysmë-produktet”. /Telegrafi/