LAJMI I FUNDIT:

Australiani dhe qeni i tij shpëtohen pas tre muajsh “të humbur” në Paqësor

Australiani dhe qeni i tij shpëtohen pas tre muajsh “të humbur” në Paqësor

Një marinar australian, i cili kishte qenë në det me qenin e tij për tre muaj, është shpëtuar nga një varkë meksikane në ujërat ndërkombëtare.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Timothy Lyndsay Shaddock, 54 vjeç, ishte në bordin e anijes së tij në Paqësor rreth 1,900 km (1,200 milje) nga toka kur ekuipazhi i varkës nga flota Grupomar e vuri re, tha kompania në një deklaratë të hënën.


Kompania tha se Shaddock dhe qeni i tij Bella ishin në një gjendje “të pasigurt” kur u gjetën, pa furnizime dhe strehim.

Ekuipazhi i anijes u dha atyre kujdes mjekësor, ushqim dhe hidratim.

Grupomar nuk dha detaje specifike se në cilën ditë Shaddock u shpëtua ose kur ai kishte nisur udhëtimin e tij.

Antonio Suarez Gutierrez, themeluesi dhe presidenti i Grupomar, tha se ishte krenar për ekuipazhin e tij, duke i lavdëruar ata për humanizmin e tyre në shpëtimin e jetës së dikujt në telashe.

Shaddock ka treguar për mediat australiane se ai dhe qeni i tij kishin mbijetuar me peshk të papërpunuar dhe ujë shiu pasi një stuhi dëmtoi anijen e tij dhe “fshiu” pajisjet elektronike.

“Kam kaluar një provë shumë të vështirë në det dhe kam nevojë vetëm për pushim dhe ushqim të mirë, sepse kam qenë vetëm në det për një kohë të gjatë”, citohet të ketë thënë Shaddock në një video të transmetuar të dielën mbrëma.

“Përndryshe, unë jam në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, shtoi Shaddock.

Banori i Sidneit dhe qeni i tij kishin lundruar në prill, por udhëtimi përfundoi brenda javësh, raportoi gazeta Daily Telegraph e Sydney. /Telegrafi/