LAJMI I FUNDIT:

Auditori nxjerr pozitiv Ministrinë e Limajt

Auditori nxjerr pozitiv Ministrinë e Limajt

Ministri Limaj tha se nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me të njëjtin staf dhe me të njëjtën ministri, të cilët e kanë rritur vëllimin e punimeve 900 për qind gjatë vitit 2008.

Sipas, ministri Limaj, në auditimin e përgjithshëm konstatohet se pasqyrat financiare, për Ministrinë e Transportit, paraqesin një të ardhme të drejtë, dhe të vërtetë në të gjitha aspektet dhe ky është një aspekt në të cilin tregon se në këtë ministri është punuar sipas ligjit dhe ligjit mbi financat në Kosovë.

“Sot, ne po paraqesim opinionin e Ministrisë së Transportit, lidhur me raportin e auditimit për vitin 2008. Sa i përket këtij raporti për ministrinë tonë, konsiderojmë që ky raport është pasqyrim real dhe ky auditor ka bërë paraqitjen e drejtë të të gjitha vlerësimeve. Andaj, ne si ministri e transportit e përshëndesim auditimin që e ka bërë auditori i përgjithshëm në MTPT, për një kohë të caktuar dhe sipas ligjit”, tha ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj gjatë konferencës së sotme me gazetarë.

Sipas tij, raporti i auditorit për këtë vit ka pasur 12 rekomandime.


" Gjatë vitit 2008, sipas të dhënave që ne i kemi dhe sipas kontstatimit të auditorit përgjithshëm del se MTPT-ja i ka përmbushur 8 nga 12 këto rekomandime, 2 prej tyre janë në përmbushje e sipër, ndërsa 2 kanë mbetur që të përmbushen, për të cilat kam kërkuar që menjëherë të fillojë përmbushja e tyre”.

Me kënaqësi ju them se auditimi ka gjetur rritjen e të hyrave për 15 për qind nga bizneset të cilat kanë qasje në brezin rrugor, shtoi Limaj.

Ndërsa sa u përket vërejtjeve të auditorit, për mosmbajtjen e softwerit të kontabilitetit, unë mund t’ju them që Ministria e Transportit në këtë rast është duke punuar në krijimin e programit të GIS-it, tha kreu i MTPT-së.

“Normalisht që në gjithë këtë proces, auditimi ka konstatuar edhe lëshime administrative, teknike për të cilat ne do të angazhohemi që t’I përmirësojmë, këtë vit dhe që të jemi sa më mirë vitin e ardhshëm. Këtu është fjala për mospërfundimin e një plani përfundimtar të prokurimit” , tha ne konferencen per media, ministri Limaj. /Telegrafi/