LAJMI I FUNDIT:

ATK toleron bizneset që nuk lëshojnë kuponë fiskalë

ATK toleron bizneset që nuk lëshojnë kuponë fiskalë

Administrata Tatimore e Kosovës është treguar e ngathët për të reaguar në gjobitjen e bizneseve për moslëshim të kuponëve fiskalë. Ky institucion për disa muaj nuk u është përgjigjur ankesave të një qytetareje për një biznes i cili nuk po lëshonte kuponë fiskalë në Lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Ankesat e drejtuara me datë 24.10.2016; 18.01.2017 dhe 26.01.2017.

ATK-ja u është përgjigjur thirrjeve të qytetares vetëm atëherë kur shkresa elektronike u është dërguar edhe mediave.


Kjo qytetare ka zgjedhur të mbetet anonime edhe kur ka raportuar. Ka thënë se raportimet e saj asnjëherë nuk janë marrë parasysh nga Administrata Tatimore e Kosovës. Ajo ia ka dërguar KALLXO.com të gjitha komunikimet që kishte pasur me zyrtarë të ndryshëm të Administratës Tatimore të Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës është përgjigjur për KALLXO.com se biznesi në fjalë është gjobitur.

“Pas informacioneve të fundit që kemi pasur nga qytetarët se tatimpaguesi në fjalë nuk është duke lëshuar kuponë fiskalë, menjëherë kemi vizituar tatimpaguesin, ku inspektorët tatimorë kanë lëshuar gjobë mandatore në vlerë 500 euro pasi që tatimpaguesi nuk e ka lajmëruar ATK-në se arkën fiskale e ka në servis, pasi që sipas dispozitave ligjore për periudhën sa arka fiskale është në servisim tatimpaguesi duhet t’i vulosë faturat në ATK”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Edhe gjatw vizitës nw dyqanin për të cilin ka raportuar kjo qytetare. Në pikën e shitjes në “Bregun e Diellit”, nuk kishte marrë kupon fiskal, por shitësja kishte lëshuar një paragon të rregullt të shitjes.

“Arkën e kanë marrë në servisim. Po kemi shumë telashe me konsumatorët që po blejnë qoftë ve, qoftë mish, se po e lypin kuponin. Hajde mbas 1 jave, kur të na e sjellin arkën, kemi me ta leshu kuponin fiskal”, tha shitësja me 27 shkurt.

Kompania “Gekos” e cila merret me servisimin e arkave fiskale, ka pranuar që një arkë të tillë e kanë pasur në servisim.

“Biznesi të cilit ju po i referoheni është i pajisur me arkë fiskale dhe të njëjtën e ka sjellë në servisim me datë 10 shkurt… Arsyeja pse arka fiskale është ende në servis ka të bëjë me prishjen e cila merr më shumë kohë për servisim dhe është dashur të porositet edhe një pjesë nga prodhuesi. Arka fiskale e biznesit që ju pyetni do të servisohet gjatë këtyre dy ditëve”, tha për KALLXO.com Kestrin Kumnova, zëdhënës i kompanisë “Gekos”.
Zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi thotë se janë raportuar 320 raste nga qytetarët për çështje të arkave fiskale, qofshin për mungesë të arkës apo mos-lëshim të kuponëve fiskalë. Prej këtyre raportimeve të qytetarëve, sipas saj, janë lëshuar 180 gjoba, në vlerë prej 66 mijë e 615 euro.

Ndërsa për vitin 2016 për moslëshim të kuponëve fiskalë, sipas saj, janë lëshuar 3 mijë e 23 gjoba mandatore, në vlerë prej 699 mijë e 550 eurove. /Kallxo.com/Telegrafi/